
Brisida Shehaj është shndërruar sot në një denoncuese online e keqqeverisjes. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kur ajo ishte pjesë e tepsisë së pushtetit qeverisja ishte krejt rozë dhe jo e zezë si sot.
Kulmin e karrierës së saj politike Shehaj e pati si zëvendësministre e Ekonomisë. Në këtë post mbërrinte pasi kishte drejtuar tatimet, ku u bë e famshme e meme në rrjet me shprehjen “ça problemi ka këtu?!”.
Si zëvendësministre u shkëput nga torta e parave që prodhonte keqqeverisja. Emri i saj është lakuar e lidhur, sipas Pamfletit, që me ARMO-n dhe aferën e Rezart Taçit me azerët. Ka vijuar më pas me Kurum, Bankers e Pegasus.
Po ashtu, sipas KLSh-së emri i Brisida Shehajt del edhe te 910 hektarë toka në Durrës, Kavajë, Sarandë, Lezhë e Vlorë të bizneseve që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në shifra marramendëse, që sipas raporteve të KLSh shkon deri në 1 miliard euro.
Në 2016-n, pasi u mënjanua nga tepsia e pushteti nga Edi Rama, Brisida Shehaj kaloi ylberin dhe kapërceu të LSI. Ishte një nga ato figura të merkatos politike që qëndroi edhe pas 2017-s në opozitë, megjithëse me siklete të mëdha.
Sot, Brisida akuzohet se është shndërruar në ‘tellalle’ të çiftit Meta-Kryemadhi, që po e përdorin atë për të rrëfyer aferat e Edi Ramës dhe ministrave të tij, të cilat i ka dëgjuar, mësuar e madje ka qenë edhe vetë protagoniste gjatë kohës që ishte drejtore e Tatimeve. Në këtë post ka marrë pjesën e vet nga oligarkët e trafikantët biznesmenë për firma e vula që i ka dhënë pa u kursyer.
Megjithëse jetëshkurtër në pushtet, Brisida Shehaj ka shëtitur në poste e pozicione me qarkullime të mëdha parash, që kishte në dorë edhe pronat shtetërore në bregdet dhe akses edhe te dhënia e ofrimi i statusit të investitorit strategjik.
Megjithatë, ajo sot betohet se nuk e ka ngjyer gishtin në tepsinë e madhe të abuzimeve të këtyre viteve. Madje ajo thotë se kundërshtuar korrupsionin, duket tamam si dhelpra që ka qenë brenda kotecit dhe thotë se pulat i kanë ngrënë të tjerët, ndërsa ajo i mbronte.
Në CV-në e Brisida Shehajt te Tatimet është i famshmë skandali i zhdukjes së serverave të këtij institucioni. Përgjegjësia për këtë u mbeti punonjësve të dorës së dytë dhe teknikë të administratës. Asaj si drejtore e përgjithshme nuk i hyri gjemb në këmbë.
Sipas Pamfletit, po në këto vite Brisida Shehaj krijoi një listë me biznese me probleme me tatimet. Bizneset ishin të mëdha e të mesme. Fillimisht i kërcënonte se do të zbatonte ligjin dhe më pas i favorizonte dhe vilte gjobat përmes kushëririt të vet, Gribos Liçaj nga Dhemblani i Tepelenës.
Këtë e emëroi edhe drejtor të sektorit të investigimit të brendshëm antikorrupsion të tatimeve. Më shumë se drejtor, shërbeu si masha zhvatëse e terrorizuese e drejtuesve dhe inspektorëve të tatimeve në të gjithë Shqipërinë që të bënin raporte kontrolli favorizuese për bizneset që jepnin çeqet dhe raporte goditëse për ata që refuzonin.
Thuhet se çdo të premte në mbrëmje, të shtune e të diele pas orës 19:00, Gribos Liçaj i çonte në zyrë nga 2-3 biznesmenë e madje dhe oligarkë të njohur resortesh e super-marketesh, të cilët futeshin brenda kangjellave me makina me xhama të zinj e logo “Tatimet” dhe çoheshin te zyra e Brisida Shehaj. Paralelisht, kishte dhe lista biznesesh që ia dërgonte Babloku e ministrat, të cilët i lejonte të bënin evazion fiskal me bilance fiktive e nuk i gjobiste, ndërsa çdo 6 muaj u pastronte skedat tatimore.
Më 14 dhjetor 2014, Edi Rama e vlerësoi me titullin “Bleta e Artë”… për shërbimet që i kishte bërë deri në atë kohë e që i vazhdoi deri në tetor 2016, kur u transferua në detyrë tjetër; ndërsa në nëntor 2016 e emëroi Zv/ministre Ekonomie, por e largoi pas dy muajsh.
Në muajin maj 2017, Rama e emëroi drejtoreshë të Agjencisë Shtetërore të Investimeve ku qëndroi deri në muajin mars 2018. Firmat e saj në këtë post janë hedhur për fonde, projekte investimesh, dhurim tokash, leje e resorte bregdetare, një pjesë e të cilave mediatikisht u akuzuan si korruptive.
Vetëm 3 ditë pasi e largoi nga kjo detyrë, Rama e emëroi Kryetare të Taskë-Forcës për Tokat e Bregdetit, ku në 3 muajt mars-qershor 2018 gjatë asaj detyre, Brisida Shehaj akuzohet se firmosi zhdukjen e shumë gjurmë falsifikimesh, të tokave të zaptuara nga oligarkë, trafikantë, vrasës, deputetë, zyrtarë drejtësie etj.
Këtu u mbyll karriera e Brisida Shehajt në pushtet me Ramën, për të shkuar drejtore te një TV, e më pas te LSI e çiftit Meta-Kryemadhi.