
Raporti i “Reporterëve pa Kufij” për Shqipërinë ndër problematikat që rëndit për lirinë e medias në Shqipëri flet edhe për etikën. Etika ka kohë që është shndërruar në fakultative dhe në dëshirën e vullnetin e gazetarëve dhe medias për ta respektuar.
Por, portali i Zenit (Shkëlzen Berishës) ka shpërthyer ndaj kunërshtarëve të Sali Berishës në Partinë Demokratike. Portali shënjestron Agron Gjekmarkajn dhe Mark Markun përmes një titulli dhe fotomontazhi me gojën e mbyllura.
Sipas portalit, Gjekmarkaj dhe Marku paskan lëshuar gojën e tepruar me deklaratat e bëra kundër Berishës dhe aq të rënda qënkan këto deklarata, sa ata duhet që të japin dorëheqjen nga jeta politike, publike sepse nuk kishin pranuar që të merrnin pjesë në një Kuvend të thirrur e organizuar nga një i shpallur non grata.
Portali merr përsipër përmes një shkrimi as editorial e as analizë që të analizojë gjoja shpërfilljen e interesave të votuesve demokratë të Gjekmarkajt dhe Mark Markut. Interesat e demokratëve në këtë periudhë janë komplekse. Dikush i ka me Bashën, një tjetër me Berishën e shumë të tjerë as me Bashën e as me Berishën.
E sigurt është që asnjëri prej tyre nuk ka interes që të zhysë partinë në një parti non grata, ashtu sikundër ka kërcënuar SHBA, që ka paralajmëruar se nëse Berisha merr kontrollin e PD-së do të shkëpusë çdo marrëdhënie me këtë parti. Në këtë pjesë, sinjalin e dha vizita e fundit e zyrtares së DASh, Karen Donfried në Tiranë, që takoi Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun dhe Gazment Bardhin.
Në këtë situatë kaotike të partisë, askush brenda PD-së nuk guxon që të marrë përsipër përfaqësimin e plotë të interesave të demokratëve, me përjashtim të Sali Berishës dhe portalit të djalit të tij.
Portali akuzon kundërshtarët se nuk kanë parime, nuk kanë vlera dhe as norma. Po si i mat vlerat, normat e parimet? A i mat me metrin e gjuhën e Sali Berishës, që pasi vrau 4 qyetarë në bulevard akuzonte si lavire kryeprokuroren dhe horr Presidentin?
Portali vazhdon më tej duke i akuzuar që të dy si ndotës të hapësirës publike. Akuza hidhet nga i njëjti burim mediatik që zbuloi atë që shkenca sot nuk ka mundur të bëjë asgjëkundi, të parashikonte një tërmet të fuqishëm, duke nxjerrë në mes të natës në rrugë, në panik e kaosi të gjithë Tiranën.
Ky është shënimi për parime, vlera e norma nga portali pa parime, vlera e norma.