13 vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Pse nuk u zbardh kurrë ngjarja, a është vrarë edhe vrasësi edhe porositësi?

3 May 2022, 14:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
13 vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Pse nuk u zbardh kurrë
Pamje e inskenuar nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi

Në 3 maj të vitit 2009 u vra deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi.

Edhe pse kanë kaluar 13 vjet, janë ndërruar qeveri, ministra të brendshëm, prokurorë të përgjithshëm, madje dhe i tërë sistemi i drejtësisë dhe ende nuk ka një autor të asaj ngjarje.

Deri më tani ka vetëm spekulime në media dhe deklarata politike, që në fakt më shumë e kanë errësuar ngjarjen.

13 vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Pse nuk u zbardh kurrë
Deputetët e ndjerë Fatmir Xhindi dhe Sokol Olldashi në një komision parlamentar

Media ka shkruar se dhe vrasësi i deputetit të opozitës së asaj kohe është vrarë.

Në korrikun e 2013-s media spekuloi pas një vrasjeje të trefishtë në Vlorë se shënjestra ishte një person, i cili ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Fatmir Xhindit.

Sipas asaj që shkruante gazeta Panorama në 29 korrik 2013, objektiv i atentatit të atyre ditëve në Vlorë ka qenë Sokol Isufaj.

Sokol Isufaj ishte i afërm me të fortin e Roskovecit në vitet ’90, Ardian Isufajn, i cili u vra në vitin 1996. Mësohet se Isufaj, djalë i vetëm, ishte shpërngulur prej vitesh nga Roskoveci për të jetuar në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit.

Ai ishte i martuar dhe baba i dy vajzave të vogla. Pas shpërnguljes në Fier, bashkë me të atin punonte si elektricist.

Pas ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi në qytetin e lindjes, Roskovec, u shoqëruan mes shumë personash dhe anëtarë të fisit Isufaj, si dhe vetë Sokoli.

Një burim nga Prokuroria tha në media se një nga personat e hetuar për vrasjen e deputetit Xhindi “është vrarë pak kohë më parë”.

Sipas të njëjtit burim, emri i tij “erdhi në krye të dyshimeve të Prokurorisë pas një rihapje të dosjes së Xhindit, kur një nga familjarët dorëzoi një gjurmë krimi të mbetur në vendngjarje, e cila u dërgua për ekspertizë në Angli në dhjetor të vitit 2012”.

Vrasja e të dyshuarit, ndërpreu pistën, por jo dyshimet.

Deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Erjon Braçe në një reagim të para tre viteve u shpreh se kolegun e tij e vrau shteti.

 “E vranë për të pastruar territorin elektoral nga një politikan i pathyeshëm! Pak javë para zgjedhjeve, në Roskovec të rajonit më të rëndësishëm elektoral, i majtë, në Fier!”, shkruante Erjon Braçe.

Në media po ashtu është shkruar se dhe porositësi i vrasjes së deputetit ka vdekur në rrethana misterioze në një aksident.

13 vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Pse nuk u zbardh kurrë
Fatmir Xhindi

 

Z.Xhindi, ish-deputet i PS (vitlindja 1960) u qëllua për vdekje në 3 maj 2009, në mbrëmje, pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit.

Ende sot, 13 vjet më pas, vrasja është zyrtarisht pa autor.

Pavarësisht se disa të dhëna përputhen, ky pohim jozyrtar se vrasësi mund të jetë vrarë nuk është përfundimtar derisa Prokuroria të marrë përsipër publikisht pohimin.

Përndryshe qëllimet mund të jenë për ta çuar dosjen Xhindi drejt rimbylljes, pra për t’i faturuar një të vdekuri fajin e një krimi ndër më të rëndët në historinë shqiptare të pas 90-s.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video