President konsensual, por me kë?

4 May 2022, 21:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

President konsensual, por me kë?

Në kryesinë e Kuvendit u zhvillua akti i radhës i komedisë së zgjedhjes së Presidentit të ri, ku mazhoranca bëri sikur përballë kishte opozitë dhe opozita bëri sikur po merrte pjesë në proces.

E vërteta është që në të gjithë historinë 30-vjeçare të zgjedhjes së presidentëve në Shqipëri, kriza politike artificiale ka qenë në maksimum. Presidenti i parë ka qenë Berisha, që u rizgjodh në 1997-n nga Kuvendi i dalë në zgjedhjet e dhunuara të 1996-s dhe kur protestat kundër pushtetit të tij dhe skemave piramidale po vlonin në pjesën më të madhe të vendit. Berisha i parapriu shkarkimit duke u dorëhequr pas fitores së socialistëve në zgjedhjet e 1997-s.

Socialistët më pas zgjedhin të moderuarin Rexhep Mejdani në këtë post, që i lë vendin Alfred Moisiut. Moisiu ishte i pari dhe i fundit presidenti konsensual. Me forcën e kartonëve, PD do të zgjidhte Bamir Topin në 2007 dhe Bujar Nishanin në 2012, ndërsa PS do të bashkonte me LSI votat për të zgjedhur Ilir Metën në 2017.

Pra, me përjashtim të Alfred Moisiut të gjithë presidentët e tjerë kanë qenë të njëanshëm, fillimisht në zgjedhje dhe më pas hera-herës edhe në qëndrime. Kulmin e njëanshmërisë në qëndrime ndoshta e arriti Ilir Meta.

Përsa kohë Sali Berisha është ende aktor në politikë (faktor vështirë se rikthehet më), edhe procesi i nisur nga PS për pasuesin e Metës vështirë se do të prodhojë një emër konsensual. Rama thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që presidenti i ri të jetë konsensual. Por, konsensual me kë? Me Fatmir Mediun?! Me Enkelejd Alibeajn?!

I pari ka marrë 6568 vota personale në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar dhe i dyti ka marrë 5225. Pra, nëse do të kihet parasysh herësi i shfuqizuar prej 10 mijë votash në zgjedhjet e fundit parlamentare, Mediu dhe Alibeaj bashkë me vota personale bëjnë vetëm një mandat. Kjo do të thotë se nëse do të ketë një konsensus me dy kryetarët e dy grupeve parlamentare në Kuvend, artificialisht ai mund t’i japë PS-së mbi 80 mandate, por realisht i jep vetëm një.

Kjo do të thotë se me konjukturën e diskutimet që u zhvilluan në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, PS do të zgjedhë një president konsensual me vetëm një mandat opozitar më shumë, pra me 74+1 vota në Kuvend.

Pjesa tjetër, sido që të dridhet e spërdridhet politikisht është thjeshtë përpjekje për t’i dhënë këtij procesi një perceptim gjithpërfshirës, në një kohë që nga vota popullore s’është i tillë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video