Pse Ulsi Manja duhet të merret në pyetje nga SPAK

6 May 2022, 22:02Fokus SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Pse Ulsi Manja duhet të merret në pyetje nga SPAK
Ulsi Manja, Minister i Drejtesise

Shënim: Të burgosurve u ndalohet kategorikisht celulari nëpër qeli. Janë me dhjetëra rastet kur drejtori të burgjeve kanë raportuar ‘sukseset’ e kontrolleve ku kanë sekuestruar këto pajisje komunikimi.

Ka një arsye se pse ndalohet. Përmes telefonave, të burgosurit e dënuar për krime të rënda që nga trafiku i drogës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, e deri për vrasje drejtojnë aktivitetet e tyre kriminale nga qelia.

Me telefon ata vazhdojnë trafikimin, e deri edhe porositjen e vrasjeve. Telefonin brenda qelive nuk e përdorin vetëm për ‘biznes’, por edhe për të komunikuar me vetë ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, që ligjërisht ka në dorë menaxhimin e burgjeve.

“Verifikimin në çdo IEVP personalisht të të gjitha ankesave të ardhura nga vetë të dënuarit në celularin tim, duke nisur me pyetjen e parë se ku e kanë gjetur celularin për komunikim”, premtoi këtë të premte ministri.

Me këtë deklaratë, Ulsi Manja duhet të merret automatikisht në pyetje nga SPAK për të sqaruar komunikimet me të burgosurit, prej sa kohësh vazhdojnë, përmbajtjen e tyre e çdo paqartësi tjetër që me të drejtë lind pas këtij pohimi të ministrit.

Por, edhe kjo deklaratë do të kalojë dhe në krye të tri ditëve do të harrohet, ashtu si shumë të tjera. Megjithatë, Manja nuk ka nevojë as të tregojë se çfarë premtoi e çfarë jo, por mjafton që të veprojë. Me deklaratat të tilla në Facebook, më shumë se ministër i Drejtësisë që ka në dorë kontrollin e burgjeve, ngjason si aktivist i shoqërisë civile që denoncon.

Gjithsesi, të njëjtën gjë e bëri edhe vetë Kryeministri Edi Rama po këtë të premte. Ai kontrollon prej 2013-s Kuvendin, ka shumicën të miratojë e ndryshojë ligje, të nxjerrë rregulla e vendime në Qeveri dhe kontrollon edhe 90 për qind të bashkive.

Por, çfarë bën? Mbledh para kamerave drejtuesit e bankave të nivelit të dytë dhe i akuzon se po pengojnë digjitalizimin përmes vendosjes së komisioneve për pagesat e vogla që qeveria synon të fusë online.

Në vend që t’u lutej bankave për këtë, Rama fare mirë mund të ndërhynte në ligj, apo të nxirrte një vendim qeverie me një listë shërbimesh e pagesash online që duhet të ofrohen përmes bankave të nivelit të dytë, të cilat përjashtohen nga pagesa e komisioneve.

Kështu edhe Ulsi Manja, që në vend të veprimit zgjedh që të denoncojë e tregojë se çfarë do të bëjë me burgjet në të ardhmen, u jep kohë të korruptuarve, apo emërimeve nepotike në sistem që të ‘rregullojnë’ letrat e pastrojnë emrat.

Kjo nuk është hera e parë, që Manja lëshon të tilla paralajmërimeve. Kur prezantoi njësinë antikorrupsion që ka ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, ai u çoi mesazhin e drejtpërdrejt të korruptuarve në çdo nivel të administratës që ‘të mos vjedhin e abuzojnë më se do t’i kapin’.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video