Në prill të vitit të kaluar, kur vendi ishte në kulm të fushatës elektorale, Arben Ahmetaj, në atë kohë vetëm ministër Rindërtimi dhe jo zv.kryeministër deklaronte se një vit më vonë, pra në prill të këtij viti nuk do të kishte asnjë gjurmë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.
Ahmetaj këmbëngulte se këtë premtim e bazonte në procese konkrete, ecurinë e procesit të ndërtimit dhe të tjera të shifra pozitive, sipas tij. Më shumë se sa real, premtimi i Arben Ahmetajt ka qenë elektoral dhe sa më shumë shkeleshin afatet e premtuara, aq më shumë vazhdonte të këmbëngulte ai se qeveria ishte brenda afateve.
“Përveç disa institucioneve publike dhe zonës së Kombinatit, pjesa më e madhe e rindërtimit, kryesisht të banesave individuale dhe pallateve e shkollave mbaron në vjeshtë të këtij viti. Do të vazhdojmë përtej vjeshtës me kombinatin që është në proces, por edhe për shkak të pandemisë dhe të shpronësimeve ka pasur edhe një përparësi momentale shumë intensive, por gjithsesi nuk ka ecur me ritmin e sajteve të tjera”, deklaroi Ahmetaj pas mbledhjes së qeverisë më 20 prill.
Por çfarë ndodhi me premtimin e përmbylljes së rindërtimit brenda prillit të këtij viti? Sipas këtij zotimi, pavarësisht zvarritjes së ringritjes së banesave të reja, pritshmëritë ishin të paktën që pranverën e këtij viti të mos kishte ngrehina të dëmtuara nga tërmeti, të cilat në varësi të dëmeve ose duhej të ishin shembur, ose të ishin rikonstruktuar.
Një verifikim i Faktoje në Durrës ka nxjerrë në pah se ka ende pallate me dëme të mëdha, por që as nuk janë rrethuar për t’u shembur dhe as kanë ndonjë shenjë që do të rikonstruktohen. Disa prej pallateve ndonëse duken të braktisura nga banorët për shkak të dëmeve që kanë pësuar, vijojnë të kenë të afishuar njoftimin ‘Shiten apartamente’.
Pas verifikimit të realizuar në zonën e plazhit në Durrës, Faktoje u zhvendos në zonën e Kombinatit në kryeqytet, për të cilin ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj konfirmoi shtyrje të afatit të rindërtimit përtej vjeshtës së këtij viti.
Banorët të zonës treguan për Faktoje se 2 vite e gjysmë pas tërmetit, ende disa prej pallateve të dëmtuara në nivelin DS5 nuk janë shembur.
Transparenca dhe llogaridhënia ishte një prej pikave të programit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Portali unik qeveritar rindertimi.gov.al, u krijua pikërisht për të unifikuar informacionin dhe për ta përcjellë atë me transparencë për publikun.
Faktoje evidentoi se portali ka mungesë të botimeve të raporteve periodike për ecurinë e punës në lidhje me zbatimin e programeve të rindërtimit, ndërsa mungesën e transparencës së procesit të rindërtimit e ka konfirmuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport për rindërtimin.