
Organizata “EcoAlbania” dhe një grup banorësh të fshatit Brataj të Vlorës kanë ngritur një padi në gjykatën administrative kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve të planifikuara në lumin Shushicë, që është dega kryesore e lumit të Vlorës.
“Kontrata e nënshkruar në shtator 2017, parashikon ndërtimin e kaskadës me fuqi të instaluar rreth 15 MW, një kontribues minimal në nevojën kombëtare për energji”, shkroi në rrjetet sociale EcoAlbania pasi njoftoi për padinë kundër nisjes së punimeve nga firma “Shushica Hydropower”.
Sipas organizatës, këto ndërtime kërcënojnë ekosistemin e pasur të zonës, ku ndër të tjera ka edhe specie të listuara në listën e kuqe të shpendëve në zhdukje. Veç të tjerave, HEC-et prekin edhe një monumet kulture të kategorisë së parë, siç është Ura e Bratajt, e cila e ka marrë këtë status që prej 1973-it.
Sipas Citizens-Channel, në miratimin e lejes mjedisore për këto HEC-e ka shkelje të shumta. Në vitin 2017, kompania “Shushica Hydropower” mori lejen mjedisore për të ndërtuar katër hidrocentralet mbi Shushicë. Në vitin 2020, kompanisë i mbaroi afati kohor për nisjen e punimeve në terren, kështu që iu nënshtrua sërish procedurave.
“Shushica Hydropower” tashmë ka rinisur procedurat ligjore, duke zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në muajin nëntor të vitit 2021 në fshatin Lepenicë. Dëgjesa publike është një ndër argumentet ligjore ku avokatët përfaqësues Dorian Matlija dhe Irena Dule argumentojnë se ka shkelje.
“Në dëgjesën e zhvilluar në një lokal privat në Lepenicë më 04.11.2021, ishin të pranishëm vetëm 5 banorë të këtij fshati, 3 prej të cilëve nga e njëjta familje dhe asnjë prej tyre nuk ishte banor i Brataj, që është edhe kryeqendra e njësisë administrative”, thuhet në padinë e ngritur.
Po ashtu, argumentohet se Vlerësimi paraprak i Ndikimit në Mjedis nuk është publikuar në faqen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, çka është detyrim ligjor. Po ashtu, në Planin e Përgjithshëm Kombëtar (PPK), si instrumenti më i lartë i planifikimit të territorit në Shqipëri, nuk parashikohet asnjë ndërtim hidrocentralesh mbi lumin Shushicë.
Edhe Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) i Bashkisë Selenicë, në të gjithë përmbajtjen e tij prezanton strategjinë e zhvillimit të lumit të Vlorës (Shushicës) si edhe të gjithë zonës drejt turizmit dhe agro-turizmit.
Në padi theksohet se tashmë Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka miratuar lejen pa Vlerësim të Thelluar në Mjedis (VNM), duke shmangur studimin e thelluar për efektet negative në mjedis nga ndërtimi i katër HEC-eve. Më herët, në vitin 2018, kjo Agjenci kishte vlerësuar se ndërtimi i 4 HEC-eve mbi lumin Shushicë duhej të kalonte në procesin e VNM-së së thelluar.
Përmes kësaj padie, kërkohet pezullimi i zbatimit të kontratës mes Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe kompanisë “Shushica Hydropower” deri në zgjidhjen përfundimtare me vendim të formës së prerë dhe shfuqizimi i vendimit për miratimin e VNM-së paraprake.