
Në fund të gushtit të 2016-s, autoritetet belge në portin e Antwerp arrestuan një të ri shqiptar, i cili qëndronte i fshehur në një kontenier bosh.
Ndalimi i të riut shqiptar me vendlindje fshatrat e Kavajës dhe me incialet F.K., në atë kohë 23 vjeç u bë pas informacioneve që policia belge kishte marrë se në këtë port po tentohej që të trafikohej një sasi e madhe kokaine në drejtim të Anglisë nga një rrjet trafiku që drejtohej nga shqiptarët.
I riu shqiptar fillimisht mohoi akuzat për trafik droge dhe tha se ishte futur në konteiner me qëllim emigrimin ilegalisht për në Angli, ku e prisnin disa të afërm.
Por, pasi autoritetet belge i hapën atij telefonin dhe përgjuan telefonatat dhe mesazhet, ai u dorëzua dhe pranoi se në kontenier ndodhej si hallkë e një zinxhiri të sofistikuar trafiku të kokainës që mbërrinte nga Amerika Latine për në Europë.
Pas dëshmisë së tij, autoritetet mësuan më në detaje skemën në fjalë, të cilën e quajtën “Kali i Trojës”. Kjo dyshohet se është metoda e dytë më e preferuar nga grupet kriminale për të trafikuar kokainën amerikano-latine në BE.
Skema nuk është edhe aq e ndërlikuar. Ajo kërkon një, ose më shumë persona që të qëndrojnë të fshehur në një konteiner bosh dhe të presin derisa të njoftohen me mesazh, ose telefonatë për të dalë dhe të marrin mallin që ka mbërritur me konteinerët e tjerë.
Mesazhet, apo telefonatat u japin numrin e konteinerit dhe vendndodhjen e tij të saktë në port. Më pas, kokaina merret nga konteineri me ngarkesë dhe vendoset në konteinerin bosh, që zakonisht sipas procedurave tërhiqet më pas nga porti. Kjo metodë është provuar nga Europol se është përdorur në disa porte të BE-së ndër vite.
Sipas të dhënave të Europol, në dekadën e fundit Europa është përmbytur në kokainë, duke u shndërruar jo vetëm në konsumatore, por edhe rrugë tranziti për drogën që ka si destinacion Lindjen e Mesme.
Belgjika, Holanda dhe Spanja janë vendet kryesore të trafikut, ku sipas tabelës më poshtë, në krahasim me 2010-n droga e sekuestruar është shumëfishuar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.