
Në studion e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, është zhvilluar një debat i ashpër mes avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndreca, dhe Alfred Muharremit, lidhur me zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe përjashtimin e pretenduar të Ndrecës nga forumet e partisë.
Ndreca e cilësoi një degradim të demokracisë së brendshme në PS mënyrën se si po trajtohet mendimi ndryshe, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se po imponon vendimmarrje që nuk janë marrë nga organet e partisë.
“Patjetër që unë i shoh si një degradim, në kuptimin e demokracisë së brendshme të PS-së. Patjetër që është një goditje për mendimin e lirë, mendimin ndryshe, shprehjen e bindjeve politike brenda një force politike. E shoh si një kthim prapa në mënyrën si respektohet statuti i PS-së”, deklaroi Ndreca.
Debati mes tij dhe Muharremit u ashpërsua kur u diskutua për një deklaratë që, sipas Ndrecës, kryeministri Rama kishte bërë ndaj socialistëve. Muharremi kundërshtoi pretendimin se Rama i kishte fyer anëtarët e partisë.
“Mos dëgjo askënd të cilit i kanë vendosur fjalët në gojë Edi Ramës. Në raport me socialistët nuk ndodh kurrë që Rama është shprehur që ‘socialistët janë një m…’. Mos u dezinformoni nga njerëz që duan të bëjnë keq raportin e socialistëve”, tha Muharremi.
Ai sqaroi se Rama u kishte kërkuar socialistëve të angazhoheshin në territor për të përmirësuar situatën.
“Ju lutem, ju dua të angazhuar në territor, sepse gjithë balta që po ndodh sot në sistemin online të informacionit po bie mbi mua dhe Partinë Socialiste dhe ju duhet të bëni kontributin tuaj për ta përmirësuar”, citoi Muharremi deklaratën e kryeministrit.
Por Ndreca këmbënguli se deklarata që kishte publikuar ishte e vërtetë dhe se mbante përgjegjësi për të.
“Zoti Muharremi, të lutem, atë që them unë mbaj përgjegjësi unë. Nëse nuk e ka thënë, do e mbaj unë po ashtu përgjegjësinë. Mua më rezulton që e ka thënë. Unë jam socialist, zoti Muharremi, mos më bëj leksione, se nuk marr leksione nga ju për këtë çështje”, iu përgjigj ai.
Ndreca theksoi se qëndrimet e tij nuk synojnë të dëmtojnë Partinë Socialiste, por të mbrojnë dinjitetin e një socialisti që, sipas tij, po tentohet të përjashtohet në kundërshtim me statutin.
“Ajo që kam thënë, bën mirë ta lexosh. Lexoje mirë, se nuk ka për qëllim të godasë apo dëmtojë kënd, ka për qëllim të mbrojë dinjitetin e një socialisti, i cili në mënyrë antistatutore tentohet të përjashtohet me vendimin e Asamblesë… A u votua shkarkimi im nga forumet ku unë nuk bëj pjesë? Nuk është votuar. Atëherë pse zoti Rama imponon në Asamblenë e Tiranës një vendimmarrje që s’e kanë marrë organet e partisë?”, deklaroi Ndreca.
Një tjetër moment debati lidhej me qëndrimet e mbrojtjes ligjore të Erion Veliajt për çështjen e dërguar në Strasburg dhe pretendimet për ndërhyrje politike. Sipas tij, qëndrimet e avokatëve në Strasburg nuk mund të përdoren si arsye për të goditur politikisht një përfaqësues ligjor.
“Ne po presim Strasburgun. Mund të kemi gabim ne, ndoshta kemi të drejtë, por le t’ia lëmë gjykatës. Por nuk mund t’i godasësh karrierën avokatit politikisht se avokati kështu mendon, ndoshta dhe gabim”, tha ai.
Gjatë debatit, avokati i Veliajt kritikoi edhe mënyrën e emërimit të drejtuesve në administratë, duke kërkuar një rol më të madh të socialistëve në vendimmarrjet e partisë.
“Unë nuk i shoh as si skllevër, as si ushtarë, as si bujkrobër që thirren sa herë ka zgjedhje dhe sa herë duhet. Socialistët janë aty gjatë gjithë kohës. Socialistët duhet të jenë aty edhe kur emërohen drejtorët, edhe kur emërohen ministrat, edhe kur emërohen gjithë funksionarët e tjerë, nënkryetarët e bashkisë. U shuan socialistët që të gjejnë një republikan që ta emërojnë?”, deklaroi Ndreca.
Ai tha se një nga problemet e PS-së është mungesa e ndjeshmërisë institucionale dhe shkëputja nga qytetarët.
“Kjo mungesë ndjeshmërie ka krijuar shkëputje të qytetarit me shtetin. Nëse institucionet bëhen të pandjeshme, qytetari e sheh shtetin si një armikun e vet”, u shpreh ai.
I pyetur nëse kishte komunikuar me kryeministrin Edi Rama pas zhvillimeve të fundit, Ndreca u përgjigj se nuk kishte pasur asnjë kontakt.
“Jo, nuk kam pasur asnjë komunikim, por nuk e di që jam përjashtuar. Kur të më sjellin vendimin, do jua tregoj dhe ju”, tha ai.
Ndreca konfirmoi se do të vijojë angazhimin politik në zonën ku ka dhënë kontribut, si edhe në zgjedhjet e 9 majit.
“Patjetër që do jap kontributin tim, aq sa mund të jap unë, patjetër që po”, u shpreh ai.
I pyetur nëse Erion Veliaj ka në plan të angazhohet në zgjedhjet e 9 majit dhe nëse ka komunikuar me të për këtë çështje, Ndreca tha se ende nuk kanë diskutuar për këtë temë. “Nuk kemi folur për këtë pjesë, se kemi mjaft për të folur dhe është shumë herët për të folur për këtë çështje”, u shpreh avokati i kryebashkiakut në “Shqipëria Live”.