Erion Braçe thirrje Veliajt: Këtë herë gabove, rikthe në detyrë Zhaneta Beqirin

22 Nëntor 2026, 19:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Erion Braçe thirrje Veliajt: Këtë herë gabove, rikthe

Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër vendimit për shkarkimin nga detyra të Zhaneta Beqirit, e cila prej 13 vitesh ka drejtuar shërbimin publik të çerdheve dhe kopshteve në Tiranë. Në një reagim publik, Braçe i është drejtuar kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe duke kërkuar rikthimin e Beqirit në detyrë.

“Erion, këtë herë e ke gabim!”, shkruan Braçe, ndërsa vlerëson punën dhe përkushtimin e Beqirit, duke e konsideruar një nga njerëzit që kanë kontribuar në kthimin e shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në një model suksesi në kryeqytet.

“Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik”, shprehet deputeti socialist.

Braçe thekson se gjatë 20 muajve të fundit, kur ka punuar në Tiranë, e ka parë personalisht Beqirin në terren, pranë fëmijëve dhe punonjësve të çerdheve dhe kopshteve, duke vlerësuar angazhimin e saj të përditshëm.

“Zhaneta Beqirin unë e njoh në punë, vetëm aty; nuk kam pasur njohje personale me të këto 13 vitet e fundit, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha këto 20 muaj që punoj në Tiranë; e kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në Irfan Tomini, Vasil Shanto, zonën e Shushicës, Ish-Bllok, 1 Maji – aty me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, me guzhinieret, me prindërit”, shkruan ai.

Sipas Braçes, përkushtimi i Beqirit dhe i stafit ka qenë një nga arsyet kryesore që shërbimi publik i çerdheve dhe kopshteve në Tiranë ka arritur të konkurrojë me atë privat.

“Nuk e kam gjetur në orën 11, 12, 13 etj., por që në 8, 8.05, 8.10, 8.15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur aspak për praninë time aty. Dhe unë, i habitur prej përkushtimit të saj, prej kujdesit për higjienën e deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve”, vijon Braçe.

Deputeti socialist tregon se për shkarkimin e Beqirit është njoftuar nga një nënë, ndërsa më pas ka marrë mesazhe të shumta nga prindër që kundërshtojnë largimin e saj.

“Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta!”, shprehet Braçe.

Në përfundim, ai i kërkon publikisht kryebashkiakut Veliaj dhe zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës të tërheqin vendimin, duke theksuar se puna e Beqirit duhet të vlerësohet mbi çdo arsye tjetër.

“Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur”, përfundon Braçe.

Beqiri thuhet se u shkarkua nga Veliaj, edhe pse konsiderohej "besnike" e tij, për shkak se mori pjesë në mbledhjen e orgaanizuar nga dy drejtuesit e rinj të PS-së për Tiranën, Ervin Demo dhe Albana Koçiu. 


Video