
Erion Veliaj, për vite me radhë, është parë si pasardhësi i mundshëm i Edi Ramës në Partinë Socialiste.
Dhe jo pa arsye, pasi Bashkia e Tiranës konsiderohet si një trampolinë për të marrë drejtimin e partisë dhe për të synuar zyrën e kryeministrit (siç ka ndodhur me vetë Ramën dhe Lulzim Bashën).
Ajo që nuk dihej, ishte koha kur kjo do të ndodhte.
Por gjërat rodhën krejt ndryshe dhe Veliaj përfundoi në burg (sipas pretendimeve të fundit të tij, edhe për shkak të përndjekjes politike nga Rama).
Elisa Spiropali nga ana tjetër, ka qenë një tjetër figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste, duke arritur deri tek posti i kryeparlamentares dh kryediplomates.
Por luftrat brenda partisë, bënë që ajo jo vetëm të shkarkohej, por edhe të përjashtohet nga forumet drejtuese të partisë.
Ashtu si Veliaj, tashmë edhe ajo konsiderohet si një kundërshtare politike e Edi Ramës.
Kjo vjen në një situatë të komplikuar për Ramën, me protestat që vijojnë prej muajsh dhe me zgjedhjet vendore që janë në prag.
Dhe lufta ndaj Veliajt e Spiropalit, mund të jetë një boomerang i madh për të, që mund t’i kushtojë edhe Bashkinë e Tiranës.
Sepse Veliaj dhe Spiropali, për vite me radhë kanë qenë “fytyra” e Partisë Socialiste.
Dhe ndryshe nga e “përzgjedhura” e tretë, Belinda Balluku, Veliaj dhe Spiropali publikisht janë në pozicionin e të përndjekurit dhe kanë ngjallur empati jo vetëm brenda socialistëve, por dhe jashtë.
Empati që nëse ata e përdorin në zgjedhjet e 9 majit, mund t’i prishin punë Edi Ramës.
Jo më kot, Sali Berisha po përpiqet t’i joshë me ngulm kundër Ramës këto ditë.
E di që një luftë e tyre kundër Ramës, mund t’i kushtojë mjaftueshëm sa për t’i hequr duarsh Bashkinë më të madhe në vend.
Dhe humbja e Tiranës do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm politike, por edhe ekonomike për Ramën.
Ndaj dhe duhet t’i bëjë mirë llogritë, nëse do t’i shkojë deri në fund përplasjes me Veliajn.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016