Pothuajse 1 në 2 familje shqiptare nuk përballon dot një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa marrë borxh

22 Nëntor 2026, 15:27Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pothuajse 1 në 2 familje shqiptare nuk përballon dot një shpenzim

Kapaciteti financiar i familjeve shqiptare për të përballuar shpenzime të papritura mbetet i kufizuar. Sipas raportit të Securimeter 2026, 46% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se familjet e tyre nuk kanë mundësi të përballojnë një shpenzim të papritur prej rreth 1,000 eurosh pa marrë borxh apo pa kërkuar ndihmë financiare nga të tjerët.

Me fjalë të tjera, pothuajse një në dy familje do ta kishte të vështirë të përballonte një emergjencë të tillë përmes burimeve të veta financiare. Ndërkohë, vetëm 35% e të anketuarve shprehen se kanë mundësi ta përballojnë këtë shpenzim, ndërsa 19% nuk janë të sigurt nëse buxheti familjar do t'ua lejonte një gjë të tillë.

Nga ana tjetër në Maqedoninë e Veriut 41% e të anketuarve u shprehën se nuk mund ta përballonin këtë shpenzim, Kosova me 37%, Serbia me 31%, Bosnja dhe Hercegovina me 30% dhe Mali i Zi me 29%.

Sa i përket përgjigjeve pozitive, Shqipëria renditet e para në rajon, me 35% të të anketuarve që deklarojnë se mund ta përballojnë këtë shpenzim, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina me nga 34%.

Në nivelin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, 36% e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë mundësi të përballojnë një shpenzim të tillë, 31% nuk janë të sigurt, ndërsa 33% shprehen se kanë kapacitetin e nevojshëm financiar.

Të dhënat evidentojnë një dobësi të rëndësishme në qëndrueshmërinë financiare të familjeve në rajon, ku një shpenzim i papritur prej 1,000 eurosh mbetet një barrë e vështirë për t'u përballuar nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.

Në tërësi, rezultatet nxjerrin në pah një problem të rëndësishëm të sigurisë financiare të familjeve në rajon. Pamundësia për të përballuar një shpenzim të vetëm të paparashikuar tregon se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mund të mos kenë hapësirën e nevojshme financiare për të përballuar goditje të papritura në buxhetin familjar, pa cenuar shpenzimet e tjera apo pa u detyruar të kërkojnë mbështetje nga jashtë/ scan.tv


Video