“Refuzova operimin në spitalin e imponuar nga Rama”, Veliaj: Nuk i besoj atij që më internoi në Fier. Në lojë është jeta ime!

22 Nëntor 2026, 11:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Refuzova operimin në spitalin e imponuar nga Rama”, Veliaj:
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas lajmit për ndërhyrjen kirurgjikale në këmbën e tij, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po përdor makinerinë e PR-it për të sulmuar edhe mbi këtë çështje.

Në një reagim publik, Veliaj sqaron se nuk ka refuzuar trajtimin mjekësor, por ka kundërshtuar kryerjen e operacionit në një spital të caktuar nga Rama.

Ai thotë se i është drejtuar GJKKO-së për të siguruar që mjeku dhe spitali të zgjidhen prej tij dhe familjes.

Reagim i Kryetarit Veliaj:

E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.

Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?

Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.

Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!


Video