U ndalua pas përplasjes me prokurorin në sallën e gjyqit, Gjykata pushon çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami

22 Nëntor 2026, 10:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

U ndalua pas përplasjes me prokurorin në sallën e gjyqit, Gjykata

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami, i cili u ndalua pak kohë më parë në Elbasan, pas një përplasjeje në sallën e gjyqit, ku dyshohej për kanosje dhe kundërshtim të prokurorit Gjergji Ceka.

Barjami u ndalua me iniciativë të oficerit të Policisë Gjyqësore, ndërsa në momentin e ngjarjes ishte në cilësinë e mbrojtësit ligjor të të dyshuarit Maksim Suçi.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, avokati nuk ka konsumuar vepër penale. Ndërkohë, janë zbardhur edhe momentet e debatit në sallën e gjyqit, ku Barjami u përplas verbalisht me prokurorin Gjergji Ceka dhe gjyqtaren Megi Strakosha.

Gjatë seancës, avokati pretendoi se në kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ishin pasqyruar të dhëna të rreme. Ai deklaroi se do të ndiqte rrugën ligjore ndaj prokurorit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Deklarata e tij shkaktoi reagimin e gjyqtares, e cila e paralajmëroi disa herë që të mos përdorte gjuhë kërcënuese në sallën e gjyqit dhe të përqendrohej te mbrojtja e klientit. Në debat ndërhyri edhe prokurori Ceka, i cili paralajmëroi se avokati do të arrestohej.

 Debati i plotë në sallën e gjyqit:

 Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Tani, kërkesa e prokurorit për vlerësim arresti dhe për caktim mase bazohet te disa prova, apo jo? Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave. Dhe që do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore…

Prokurori Gjergji Ceka: Aa… jo, jo…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Do të bëj kallëzim…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Hera e fundit që…

Prokurori Gjergji Ceka: Do të arrestohet ai…

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Zonja gjyqtare… do të bëj kallëzim…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat! Avokat! Nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Me rrugë ligjore… jo…

Gjyqtarja Megi Strakosha: Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle, me kë të doni ju. Të thashë… Avokat, do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Këto lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi, me mua si gjyqtare, nuk të lejohen! Përqendrohu te mbrojtja që do t’i bësh të pandehurit tënd! Ose do t’i caktoj ndonjë avokat tjetër kryesisht dhe do të nxjerr përjashta! Avokat, nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Përqendrohu te mbrojtja, po të them! Paralajmërimi i fundit!

Mbrojtësi, av. Uljan Barjami: Pasqyrim të të dhënave të rreme, si nga policia, si nga prokuroria. E pamë të gjithë qartë që as nga shtetasi Maksim Suçi, as nga persona të tjerë nuk ka kundërshtim. Nuk ka qenë fare në tavolinë. Kështu që, përfundimisht, kërkojmë vlerësimin e paligjshëm të arrestit dhe mos caktimin e asnjë mase sigurie.

Gjyqtarja Megi Strakosha: Faleminderit!

VENDIMI:

Në lidhje me veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal, kjo dispozitw parashikon se: “Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, dënohet me burgim deri në dy vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet.”.

Objekti i kësaj vepre penale, janë marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj per te siguruar veprimtarine e rregullt te institucioneve shtetërore publike, të funksionimit të rregullt të tyre, për të mos u ndikuar në kryerjen e detyrave dhe funksioneve publike nga aferat korruptive, marrëdhënie këto të mbrojtura me legjislacionin penal nga veprimet apo mosveprimet kriminale. Nga ana objektive kjo vepër penale është konsumohet nëpërmjet veprimeve aktive të kryera prej autorit, të manifestuara në formën e premtimit, propozimit ose dhënies, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara. Nga ana subjektive, kjo veper penale kryhet me faj në formën e dashjes direkte, pasi autori e parashikon kundërligjshmerinë e veprimeve të tij dhe njëkohësisht dëshiron të vijnë pasojat e veprës. Subjekt i kryerjes së kësaj vepre penale janë të përgjithshëm, mjafton të plotësojnë në mënyrë kumulative të dy kushtet për të mbajtur përgjegjësi penale, të kenë mbushur moshën për përgjegjësinë penale dhe të jenë të përgjegjshëm mendërisht.

Në rastin konkret nuk rezulton që personi nën hetim të ketë kryer ndonjë veprim që t’u krijojë bindjen punonjësve të policisë që atyre mund t’iu rrezikohej jeta/shëndeti prej tij. Frazën e sipërcituar, personi nën hetim e ka thënë në një moment kur oficerëve të policisë gjyqësore që kishin përpiluar aktet procedurale të arrestimit të shtetasit Maksim Suçi nuk ishin prezent në sallën gjyqësore. Për pasojë nuk konfigurohen elementët të figurës së kësaj vepre penale.

Në lidhje me veprën penale nenin 317 të Kodit Penal “Kanosja e gjyqtarit”, i cili parashikon se: “Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Objekti i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të përcaktuara nga ligjvënësi për të garantuar ushtrimin e rregullt të veprimtarisë së gjyqtarit, prokurorit, avokatit, etj., me qëllim ushtrimin e detyrës në mënyrë objektive dhe të paanshme; Nga ana objektive (actus rea) kjo vepër penale kryhet me veprime aktive/konkrete, duke përdorur fjalë me natyrë kërcënuese në drejtim të gjyqtarit, prokurorit, etj dhe të jetë objektivisht i aftë të shkaktojë frikë. Nuk është e nevojshme prova e frikës reale të gjyqtarit, Prokurorit, por mjafton potenciali objektiv i kanosjes; Nga ana subjektive (mens rea) kjo vepër kryhet me dashje direkte pasi autori i parashikon dhe dëshiron pasojat kriminale. Vepra penale “Kanosja e gjyqtarit” e parashikuar në nenin 317 të Kodit Pehal ka si element të posaçëm “qëllimin e autorit”. Autori duhet të ketë si qëllim të posaçëm që nëpërmjet veprimeve të tij të kanose/intimidojë gjyqtarin, prokurorin, etj. në mënyrë që t’i pengojë ata në ushtrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre. Subjekt i veprës penale është çdo person që ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm para ligjit.

Në rastin konkret personi nën hetim Ulian Barjami nuk ka konsumuar element të figurës së veprës penale të “Kanosjes së gjyqtarit”, elementi kyç i cili duhet të analizohet, është fraza që ai ka përdorur gjatë mbrojtjes së personit të arrestuar (Maksim Suçi), në seancën gjyqësore të datës 17.10.2025. Konkretisht, fraza që ai ka thënë “do merrem personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore” është përdorur pas pretendimit që aktet e përpiluara në ngarkim të klientit të tij nga policia gjyqësore/prokurori, përmbanin të dhëna të pavërteta, me argumentin se nga pamjet filmike të tavolinë kanë qenë 6 (gjashtë) persona, ndërkohë që nga ana e prokurorisë është thënë se në tavolinë kishin qenë 14 veta. Pra, nga proces-verbali i seancës gjyqësore dhe deklarimet e personit nën hetim rezulton e qartë që shprehja e përdorur nga ky i fundit, marrja personalisht me oficerët dhe prokurorin ka nënkuptuar ndjekjen e rrugëve ligjore nga ai dhe se qëllimi i tij nuk ka qenë të kanoste prokurorin e çështjes.

Sa më sipër, rezulton se fakti nuk përbën veprën penale “Kanosje e gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.

Në lidhje me akuzën “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikohet se: “Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit të çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet”.

Objekti i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve gjyqësore, prokurorisë, avokatisë, ekspertëve apo arbitrave të caktuar si dhe personin e mbrojtur posaçërisht në legjislacionin penal ose mosveprimet kriminale. Nga ana objektive, krimi kryhet me veprime aktive të kundërligjshme që qëndrojnë në kundërshtimin me dhunë fizike, psikike, (rrahje), goditjet dhe vepra të tjera dhunë që i bëhen gjyqtarit, avokatit, eksperteve, çdo arbitri të caktuar për një çështje për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj. Nga ana subjektive krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim që gjyqtarët, prokurorët, avokatët, ekspertët apo çdo arbitër i caktuar të pengohet për të kryer detyrën ose për shkak të detyrës. Subjekt është çdo person që ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm para ligjit.

Rezulton se në rastit konkret, nuk konstatohet që personi nën hetim Ulian Barjami të ketë bërë ndonjë veprim dhune ndaj gjyqtarit apo prokurorit të çështjes. Por siç u specifikua dhe më lartë, ai vetëm ka përdorur një gjuhë të papërshtatshme, e cila nuk mund të konsiderohet si “dhunë psikike”, por, si e tillë ajo mund t’ju nënshtrohet masave administrative për shkelje të solemnitetit të gjykimit apo shkelje etike nga ana e personit nën hetim si Avokat mbrojtës, por kurrsesi nuk mund të konfigurojnë elementët e kësaj vepre apo ndonjë vepre tjetre penale.

Në kushtet si më sipër Gjykata vlerëson se arrestimi në flagrancë, regjistrimi i procedimit penal si dhe hetimi i personit nën hetim nuk janë kryer në respektim të drejtë të dispozitave procedurale penale, pasi faktet e pretenduara nuk përbëjnë elementët e veprave penale të sipërcituara apo të ndonjë vepre tjetre penale, por ato maksimalisht mund të trajtoheshin me sanksione administrative nga organet kompetente (Gjykata apo Dhoma Kombëtare e Avokatisë).

Në përfundim të arsyetimit sa më sipër, gjykata çmon se, kërkesa e paraqitur nga ana e organit të akuzës, për pushimin e procedimit penal nr.7882/2025, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kallëzim i rremë” parashikuar nga nenet 245/1, 248 dhe 305 i Kodit Penal, është e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet pranuar duke u vendosur pushimi i çështjes pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Gjykata, bazuar në nenet 112, 328/1 shkronjat “a”, “b” dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale:

VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës.
2. Pushimin e procedimit penal Nr. 7882, datë 22.10.2025, për veprat penale të “Kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit” dhe “Kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga nenet 238/3, 316 dhe 317 i K.Penal, ndaj personit nën hetim Ulian Barjami.
3. Në bazë të nenit 389 të Kodit të Procedurës Penale, deklarohet heqja e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me vendimin nr. 658 Regj. Them., datë 17.10.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndaj personit nën hetim Ulian Barjami.
4. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.


Video