
Çështja e himnit shqiptar në Pustec u rikthye në vëmendje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Gjatë konferencës, gazetarët e pyetën Mickoskin nëse ndiente nevojën t’u kërkonte falje shqiptarëve për atë që u konsiderua si mosrespektim i himnit kombëtar shqiptar gjatë aktivitetit në Pustec.
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk kërkoi falje, por deklaroi se vendi është shumëetnik dhe se të gjitha komunitetet vlerësohen. Ai pretendoi gjithashtu se gazetarët nuk e kishin ndjekur aktivitetin deri në fund, duke këmbëngulur se himni shqiptar ishte ekzekutuar.
“Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë 22 Nëntorin. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u zbatua. Të relaksohemi”, u përgjigj Mickoski.
Ngjarja që riktheu sot debatin ndodhi më 20 gusht 2026, gjatë hapjes së Festivalit Folklorik Maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Gjatë ceremonisë u ekzekutua vetëm himni maqedonas, ndërsa himni shqiptar u la jashtë programit, pavarësisht se aktiviteti zhvillohej në territorin e Shqipërisë.
Festivali ishte organizuar nga shoqata VMRO-Shqipëri, ndërsa kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, u distancua nga ngjarja dhe kërkoi ndjesë, duke deklaruar se u kishte kërkuar organizatorëve të përfshinin edhe himnin shqiptar. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi incidentin një shkelje serioze të protokollit dhe theksoi se respektimi i simboleve kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi.