Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një dalje për mediat komentoi zhvillimet sot në seancën plenare. Ai tha se pavarësisht flakadanëve, apo zhurmës, PS do të vijojë me agjendën ndërkombëtare.
Po ashtu ai i doli në mbrojtje ish-zv.kryeministres, Belinda Ballukut, duke e cilësuar si ndër deputetet më të mira të PS-së, ndërkohë SPAK ka kërkuar më herët për të arrestimin për korrupsion, kërkesë që e rrëzoi Kuvendi.
Balla: Kemi miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave, njëri kërkonte dhe shumicë të cilësuar. Përveç bilbilave, flakadanëve dhe zhurmës dhe dhunës, agjenda ndërkombëtare nuk ndërpritet. Sot u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit. Sot shqiptarët kanë marrë lajmin e mirë për buxhetin me karakter social. Edhe paketa fiskale, me lajme po aq të mira, siç është dhe ulja e TVSH për ushqimet, me 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, është lajm i mirë. Edhe opozita duhet të votojë pro rritjes dhe dyfishimit të pensionit. Grupi parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe ata janë gjithmonë aty për të votuar. Kontrata e tyre është me PS dhe me Shqipërinë. Më lejoni të them që sa i preket prezencës në zonën zgjedhore, është ndër deputetet më të mira të PS. Të ftoj nesër ora 17:00 “Prania besnike” në Fier, të shkosh atje ta shohësh.