Misteri i “agjendës së kuqe” trondit sërish Italinë, nën hetim ish-kreu i Policisë për atentatin ndaj Borsellinos! (Njeriu X që erdhi nga Shqipëria)

21 Nëntor 2026, 14:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Misteri i “agjendës së kuqe” trondit sërish
Gianni De Gennaro

Ish-kreu i Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro (78 vjeç), është vënë nën hetim për dyshimet mbi pengimin dhe devijimin e hetimeve lidhur me atentatin mafioz ndaj gjyqtarit Paolo Borsellino, një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e luftës kundër mafies italiane.

Hetimi po drejtohet nga Prokuroria e Caltanisetës dhe lidhet me shpërthimin e 19 korrikut 1992 në rrugën “Via D'Amelio” në Palermo, ku humbën jetën gjyqtari Borsellino dhe pesë efektivë të eskortës së tij. Në qendër të hetimeve është edhe misteri i zhdukjes së të ashtuquajturës “agjenda e kuqe”, që i përkiste gjyqtarit dhe ku dyshohet se mund të kishte shënime me rëndësi për hetimet kundër mafies.

Pak ditë më parë, karabinierët e njësisë ROS kryen kontrolle në banesat e De Gennaros, si dhe të disa personave të tjerë, mes tyre bashkëpunëtorë të tij dhe ish-inspektori i policisë Francesco Pacetto. Kontrollet përfshinë edhe bashkëpunëtorin e drejtësisë Salvatore Contorno, i njohur si “Totuccio”.

Sipas hipotezës së prokurorisë, De Gennaro dyshohet se ka ndikuar në drejtimin e hetimeve duke penguar Contornon të jepte dëshmitë e tij para prokurorëve. Gjithashtu, hetuesit dyshojnë se përmes një bashkëpunëtoreje të tij mund të jetë fshehur dokumentacion që lidhej me arrestimin e Contornos në vitin 1989.

Një nga misteret më të mëdha të atentatit

Hetimet për vrasjen e Borsellinos janë shoqëruar prej vitesh me dyshime për manipulim të provave dhe devijim të drejtësisë. Në fazën e parë të çështjes, bashkëpunëtori i drejtësisë Vincenzo Scarantino pranoi përgjegjësinë për vjedhjen e automjetit Fiat 126, i cili u përdor në atentat. Më vonë ai tërhoqi akuzat ndaj personave të tjerë të përfshirë, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si ishin zhvilluar hetimet.

Çështja çoi në hetime ndaj grupit hetimor të asaj kohe dhe në vitin 2024 u shpall parashkrimi për veprat penale që u atribuoheshin tre drejtuesve të lartë të policisë.

Tashmë, prokurorët po përpiqen të zbardhin rolin e personave të përfshirë në hetimet e dikurshme dhe mbi të gjitha, të zbulojnë se çfarë ndodhi me “agjendën e kuqe” të Paolo Borsellinos.

Kujtojmë se një shqiptar dyshohet se ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Toto Riinës, kreut të mafias italiane Cosa Nostra për dekada, në njërën prej vrasjeve më të rënda mafioze në historinë e Italisë.

Ai është ende i paidentifikuar.

Mediat italiane publikuan disa përgjime të reja në lidhje me vrasjet mafioze të ndodhura në Palermo në vitet ’80 dhe ’90 të urdhëruara nga kryemafiozi famëkeq Toto Riina.

Prestigjiozja “Il Fatto Quotidiano” shkruante asokohe se, një prej përgjimeve të famshme të Riinës në burg ku ai flet për një shqiptar. 

“Si ai që erdhi vetëm nga Shqipëria… gjeje po deshe një ekspert si ky…”, shprehej Toto Rina në përgjime.

Përgjimet e publikuara janë realizuar në vitin 2013 kur Riina ishte në burg, por ende është e paqartë se për cilën vrasje të organizuar nga Cosa Nostra bëhet fjalë, për atë të Paolo Borsellinos në vitin 1992 apo magjistratit tjetër Rocco Chinnici në vitin 1983.


Video