PS "ndez motorët e fushatës" për Tiranën, Rama për të moshuarit: Do dyfishojmë rritjen e pensioneve!

21 Nëntor 2026, 12:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PS "ndez motorët e fushatës" për Tiranën, Rama
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka bërë një premtim për pensionistët, teksa tha se vit pas viti do të ketë rritje të pensioneve.

Rama përmendi indeksimet e deritanishme por theksoi se ato nuk mjaftojnë, prandaj premtoi se vit pas viti, do të ketë dyfishim të rritjes që bëhet në vitin paraardhës.

Po ashtu, Rama premtoi edhe rritje të shpërblimeve të bebeve dhe ndihmave sociale për fëmijët me nevoja të veçanta.

Kryeministri Rama: Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes ekonomike, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit më të lehta vitet që kanë përpara. Ja pse, nga 1 janari, siç parashikohet në buxhet, bonusi i tyre i fundvitit do të rritet. Rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush nga pensionistët të mos mendojë se mjafton. Jo. Por ka një ndryshim mes pensionit që nuk rritet dhe pensionit që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij që vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe, po ashtu, edhe në vitin e fundit të mandatit do të rritet dyfish.

Ka ndryshuar edhe skema e bebeve. Jo më me një dorë të zgjatur dhe një urim për ditën e lindjes, por me një ndihmë çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht kur një gëzim i madh vjen në shtëpi, por edhe me një barrë të posaçme. Ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të rrisim ekonominë dhe ta shtrijmë mbështetjen në vite dhe çdo muaj.

Njohja e sigurimeve për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe është një tjetër shenjë në drejtimin e duhur. Janë të shumta nënat që e kanë të pamundur të shkojnë në punë, sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë “u lodhëm”, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije që ka nevojë për kujdes në çdo orë e çast. U themi të gjitha atyre nënave dhe prindërve: Ju nuk jeni vetëm, ne ju shohim. Ju nuk mund të mbeteni pa pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani kontribute. Ne do t’i paguajmë për ju


Video