Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku ministri i Financave pritet të prezantojë projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale.
PD argumenton se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës dhe se mbledhja është njoftuar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon, si rregull, një afat prej 48 orësh nga njoftimi.
Në një njoftim për mediat, demokratët theksojnë se nuk po refuzojnë diskutimin e buxhetit, por kundërshtojnë procedurën e ndjekur.
Opozita kërkon që projektbuxheti dhe dokumentacioni shoqërues t'u vihen menjëherë në dispozicion deputetëve, si dhe të garantohet kohë e mjaftueshme për analizë, diskutim dhe paraqitjen e amendamenteve.