"Policia e burgjeve më ka rrëmbyer", Veliaj kërkon ndërhyrjen e ministrit Gogu: Verifikoni arsyet e këtij transferimi politik!

28 October 2026, 14:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Policia e burgjeve më ka rrëmbyer", Veliaj kërkon
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar lidhur me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, duke pretenduar se nuk i është vënë në dispozicion akti që urdhëron zhvendosjen dhe as arsyet që e justifikojnë atë.

Në një deklaratë të datës 28 tetor, Veliaj thotë se punonjës të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për ta transferuar në Fier.

Sipas tij, kërkesat e përsëritura të bëra nga ai dhe avokati për t’u njohur me dokumentacionin janë refuzuar.

“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, shprehet Veliaj.

Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij, duke pretenduar mungesë transparence dhe pengim të ushtrimit efektiv të të drejtave ligjore.

Deklarata e plotë e Erion Veliajt:

Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.

Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.

Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.

I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.”

Erion Veliaj

IEVP Durrës, 28 tetor 2026


Video