Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Deri më tani, nuk ka një arsye të bërë publike që të shpjegojë lëvizjen, por koha kur ndodh transferimi e bën atë të diskutueshëm.
Pak ditë më parë, Veliaj reagoi përmes një postimi për zhvillimet në Serbi, ku protestat studentore dhe më pas zgjedhjet e përgjithshme parlamentare rezultuan me rrëzimin e ish Presidentit Aleksandër Vuçiç. Veliaj në reagimin e tij uroi studentët për fitoren dhe cilësoi Vuçiçin si një politikan makiavelist. Postimi u lexua nga shumëkush si një thumb ndaj kryeministrit Rama duke pasur parasysh protestat e studentëve që kanë përfshirë prej më shumë se dy javësh vendin tonë.
Deri tani nuk është raportuar asnjë konflikt i Veliajt në burgun e Durrësit që të justifikonte transferimin. Po ashtu, nuk rezulton që ai të ketë kërkuar vetë të largohet nga ky institucion.
Atëherë përse u pa e nevojshme zhvendosja e tij, në mungesë të një konflikti të njohur apo të një kërkese nga vetë ai?
Distanca e burgut të Durrësit nga Tirana lehtësonte aksesin për njerëzit që kanë nevojë të takohen me kryebashkiakun, sidomos për punonjësit e Bashkisë së Tiranës.
Kushtet e burgut të Durrësit gjithashtu konsiderohen më të mira në krahasim me ato të Fierit.
Nëse lëvizja nuk lidhet me një problem disiplinor apo me një kërkesë të Veliajt, atëherë natyrshëm mund të lind pyetja, a ishte kjo një hakmarrje e kryeministrit Rama?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016