Veliaj përgëzon rrëzimin e Vuçiç: Ra makiavelisti dhe populisti i Beogradit (Mesazh i koduar dhe për Ramën)

26 October 2026, 12:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Veliaj përgëzon rrëzimin e Vuçiç: Ra makiavelisti
Erion Veliaj, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përgëzuar studentët në Serbi për rrëzimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin e cilëson si “makiavelist dhe populist”.

 Veliaj, në mesazhin e tij, i cili qartazi lexohet edhe si një thumb ndaj Ramës, shkruan: “Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, duke e cilësuar protestën studentore si fundin e një bote politike.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”, vijon ai, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe politikëbërësve të kuptojnë pritshmëritë e brezit të ri.

Veliaj përgëzon edhe shqiptarët në Serbi, duke iu referuar projeksioneve për rritjen e përfaqësimit të tyre nga një në dy mandate.

“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!

Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.

Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, shkruan Veliaj.

Por, çfarë është një politikan makiavelist? 

Një politikan makiavelist është një politikan që e konsideron marrjen, ruajtjen dhe forcimin e pushtetit si objektiv kryesor dhe që përdor strategji, manipulim, diplomaci, dinakëri apo kompromis për ta arritur atë.

Termi vjen nga filozofi dhe mendimtari politik italian Nikolo Makiaveli (1469–1527), autor i librit të njohur Princi.

Si dallohet një politikan makiavelist?

- Është pragmatist – vendimet i merr duke parë interesin politik, jo domosdoshmërisht parimet morale.

- Përdor strategjinë dhe dinakërinë – di kur të flasë, kur të heshtë, kur të sulmojë dhe kur të tërhiqet.

- Ndryshon aleancat sipas interesit – kundërshtari i sotëm mund të bëhet aleati i nesërm.

- Kontrollon perceptimin publik – përpiqet të krijojë imazhin e një udhëheqësi të fortë, edhe kur veprimet e tij nuk përputhen me deklaratat.

- E sheh politikën si luftë për pushtet – shpesh e vendos rezultatin politik mbi besnikërinë personale.


Video