
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë për Klan News u shpreh se mbështetja për studentët është e pakufishme nga ana e demokratëve.
Ai theksoi se strukturat dhe forumi rinor i Partisë Demokratike janë aty në protestë që nga minuta e parë e saj dhe do vazhdojë të qëndrojë deri në fund.
Kryedemokrati pohoi se mbështetja e PD-së për protestën nuk e “vret” lëvizjen e studentëve, por përkundrazi i jep forcë asaj.
Ai theksoi se Partia Demokratike ka shpallur dy parime, të cilat sipas tij, në thelb mbrojnë studentët dhe kauzën e tyre.
“Përkundrazi! Protestën unë e kam mbështetur sipas rregullave që ata (studentët) e përcaktuan vetë. Ne kemi shpall dy parime: parimi i parë të mbështesim studentët me potencialen tonë, parimi i dytë: të mbrojmë studentët.
Jemi në origjinë në këtë protestë. Ne kemi strukturat e forumit rinor që janë aty që nga minuta e parë dhe ata do jenë aty deri në fund.
Falangat e Edi Ramës, që janë aty për ta “vdekur” protestën, dalin me tezën dhe thirrjen “Rama në burg”, “Berisha në burg”, nuk ka mashtrim më të madh se kjo që të thuash pozita dhe opozita janë njëlloj”, theksoi Berisha.