
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas kundërshtimit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në konsultimet me presidentin Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka ironizuar demokratët, duke kujtuar bojkotet dhe përplasjet e mëparshme brenda opozitës.
Ai ka konfirmuar se Partia Socialiste do të marrë pjesë në konsultimet me presidentin, ndërsa ka përmendur periudhën 15 prill – 15 maj 2027 si kohën kur pritet të zhvillohen zgjedhjet vendore.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot “depoja e molotovëve”-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite.
Uroj që t’i thërrasin arësyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill - 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.
Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027.
Faleminderit!”, shkruan Balla në facebook-un e vet.