Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka shpjeguar procedurën statutore për paraqitjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të partisë.
Klosi, duke iu referuar kërkesës së kryebashkiakut Erion Veliaj tha se kërkesa duhet të mbështetet nga të paktën 33% e anëtarësisë së PS-së.
Ai theksoi se kryetari merr votëbesimin përmes zgjedhjeve dhe se, në rast humbjeje, duhet të japë dorëheqjen.
Sipas Klosit, jo çdo anëtar mund të kërkojë një mocion mosbesimi, pasi mënyra e paraqitjes së tij përcaktohet qartë në statut.
“Është mocioni i mosbesimit por duhet të marrë 33% të firmave të anëtarësisë së PS. Meqë e thatë, kryetari i partisë ka votëbesim votën e zgjedhjeve në rastin e përballjes me elektoratin. Nëse humbet zgjedhjet dorëhiqet. Ka edhe mocion mosbesimi por ka një nen të statutit se si mund të paraqitet. Jo çdo kërkesë për mocion mosbesimi. Kjo është edhe në parlament. Një parti aq e madhe që funksionon me statut, janë rregullat e funksionimit, ka edhe mënyrën se si paraqiten mocionet e mosbesimit. Nuk mundet çdokush të paraqesë”, tha Klosi në emisionin “Të Paekspozuarit”.