
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës se ka lidhje me drogën dhe krimin, duke e cilësuar Shqipërinë si një “narkodiktaturë autoritare”.
Gjatë një takimi me demokratët në Berat, Berisha deklaroi se futja e parave të drogës në ekonomi ka sjellë zhvlerësimin e euros, ka dëmtuar eksportet dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve në vend.
Ai pretendoi se në harkun e 3-4 viteve eksportet kanë rënë me 28%, prodhimi industrial me 15.3%, ndërsa prodhimi bujqësor ka pësuar një rënie edhe më të madhe.
“Droga është fuqi e të keqes, miqtë e mi, sepse zhvlerësimin me 35 përqind të euros nga vagonat dhe kontejnerë të narkoeurove që futen në Shqipëri, zhvlerësojnë të gjitha remitencat që familjarët dërgojnë në Shqipëri. Kanë zhvlerësuar kursimet në euro me 250 miliardë lekë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te çmimet e produkteve ushqimore, duke bërë një krahasim me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.
Sipas tij, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë janë në nivelin 60-70% të mesatares së BE-së, në Shqipëri ato arrijnë në 110%.
“Po, ajo rrit çmimet, rrit inflacionin. Dhe këtu qëndron arsyeja pse çmimet në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi janë 60, 70 përqind të çmimeve mesatare të BE për ushqimet dhe gjërat bazë. Po në Shqipëri sa janë? 110 përqind”, u shpreh ai.