
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka ripërsëritur kërkesat e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ai kërkoi rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, respektimin e marrëveshjes politike të vitit 2020 dhe vendosjen e listave 100% të hapura edhe për këshilltarët bashkiakë.
Teksa ka kërkuar ndarjen e shtetit nga partia, Bylykbashi tha se prania besnike është shembulli më i qartë, që shërbimet që duhet të marrin zgjidhje ne sportele, zgjidhen në parti.
“Ne kërkojmë kthimin e koalicioneve parazgjedhore, të respektohet marrëveshje e 2020. Është një sistem që garanton rrotacion. Sistem proporcional kombëtar me lista 100% me prag që duhet të biem dakord. Lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë. Prania besnike është shembulli më i saktë i partisë shtet. Rropatesh nëpër sportele dhe nuk e merr shërbimin. Shkon në fundjavë të partia dhe të gjejnë zgjidhje. Sistem patronazhimi. Ne duhet të bëjmë ndryshimet për zgjedhjet e 9 majit. Ligji për financimin e partive politike vlen pas 9 majit”, tha ai.
Nga ana tjetër Gjiknuri e cilësoi paketën e PD-së një listë dëshirash.
"Kjo është një listë dëshirash të opozitës. Ju keni konceptin absolut që shteti duhet të ngrijë që administrata publike është e gjitha politike. Ku ka ndonjë vend që një i punësuar në administratë ti privosh të drejtën politike. Jam dakord që kufizimi të jetë më i fortë për mospolitizimin e funksionit të një zyrtari. Kjo mund të zgjidhet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Të thashë liqenin për të zënë peshqit. Nuk është një qasje demokratike”.