Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, pasi u kapën duke transportuar 9 emigrantë nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Në pranga ranë shtetasit Aldi Dishnica, Mateo Tacelli, Klevi Nallbati, të tre banues në Korçë.
Sipas policisë, tre të rinjtë u kapën në flagrancë teksa transportonin me dy automjete 9 shtetas të huaj nga vendet e treta.
Emigrantët dyshohet se kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbër në Korçë dhe po transportoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.