Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se një dakordësi mund të jetë pranë përpara samitit të G20-s, që do të mbahet në dhjetor në resortin e tij Trump National Doral, në Florida.
Në një intervistë me komentatorin konservator Benny Johnson, të publikuar të shtunën, Trump tha se ekziston një “mundësi shumë e mirë” për zgjidhjen e konfliktit, duke iu referuar mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje mes dy liderëve.
“Unë mendoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje atje”, u shpreh Trump, duke pranuar se mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky ekziston një armiqësi e thellë.
I pyetur për raportimet mbi mundësinë e një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës gjatë samitit të G20-s, presidenti amerikan nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke shprehur besimin se negociatat mund të sjellin një përparim.
“Unë mendoj se ka një mundësi shumë të mirë që ta zgjidhim edhe këtë çështje. Po punojmë gjithashtu për shumë marrëveshje të tjera”, tha ai.
Gjatë intervistës, Trump u ndal edhe te Irani, duke deklaruar se SHBA-ja është e vendosur të mos lejojë që Teherani të sigurojë armë bërthamore.
Ai pretendoi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar ndjeshëm dhe shtoi se Washingtoni do ta “përfundojë atë çështje”.
Sa i përket Kubës, Trump parashikoi se udhëheqja komuniste e vendit nuk do të qëndrojë gjatë në pushtet, duke lënë të kuptohet se Washingtoni mund ta zhvendosë vëmendjen drejt ishullit pas Venezuelës.
“Është një vend i dështuar. Do t’i rikthejmë njerëzit atje shumë shpejt”, deklaroi Trump, duke shtuar se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po e ndjek nga afër situatën.