
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka forcuar më tej kontrollin mbi Partinë Komuniste, duke promovuar në Byronë Politike gjeneralin Zhang Shengmin, i cili ka drejtuar hetimet për korrupsionin në radhët e ushtrisë.
Emërimi i tij konsiderohet i pazakontë, pasi zakonisht anëtarët e këtij organi të lartë drejtues zgjidhen gjatë kongreseve pesëvjeçare të partisë, por Xi ka vendosur të mos presë deri në vitin 2027 për ta shpërblyer gjeneralin.

Vendimi vjen në një kohë kur Partia Komuniste po kalon një valë të gjerë spastrimesh, me 97 emra të larguar nga lista e 376 anëtarëve të Komitetit Qendror të zgjedhur në vitin 2020.
Pjesa më e madhe e tyre janë goditur nga fushata kundër korrupsionit e drejtuar nga Xi, ndërsa disa të tjerë dyshohet se kanë humbur pozitat për shkak të mungesës së besnikërisë ndaj linjës së presidentit. Mes figurave të larguara janë edhe gjenerali Zhang Youxia, ish-zëvendësi i Xi në Komisionin Qendror Ushtarak, si dhe Zhong Shaojun, një prej njerëzve të konsideruar të afërt me presidentin.
Gjatë mbledhjes katërditore të Komitetit Qendror, një nga mesazhet kryesore ishte forcimi i disiplinës së brendshme dhe lufta kundër korrupsionit. Në deklaratën përfundimtare, partia theksoi se duhet të korrigjojë vazhdimisht sjelljen e saj dhe se askush nuk duhet të guxojë të korruptohet apo të përfshihet në praktika të tilla.
Ndërkohë, në Komitetin Qendror janë promovuar edhe katër figura të reja, mes tyre dy drejtues provincialë dhe dy ish-bankierë, të cilët konsiderohen pjesë e brezit të ri të elitës politike kineze.
Fushata kundër korrupsionit, e nisur nga Xi që prej ardhjes në pushtet në vitin 2012, ka ndëshkuar më shumë se shtatë milionë drejtues, zyrtarë dhe nëpunës shtetërorë. Vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Komisionit të Disiplinës, janë sanksionuar 983 mijë kuadro të partisë. Megjithatë, Pekini pranon se lufta kundër korrupsionit dhe degradimit burokratik mbetet një sfidë e gjatë dhe komplekse.