
Tensionet mes dy partnerëve strategjikë po shtohen: presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nuk mori pjesë në një samit rajonal të zhvilluar në Turqi, duke nxitur spekulimet për një përçarje në rritje mes Bakusë dhe Ankarasë.
Azerbajxhani u përfaqësua në këtë samit nga ministri i Jashtëm, Jeyhun Bayramov. Mediat azerbajxhanase ia atribuuan mungesën e Aliyevit angazhimeve të mëparshme, por disa vlerësime sugjerojnë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Azerbajxhanit, dikur aleatë veçanërisht të afërt, nuk janë më aq të ngrohta sa më parë, shkruan Ynet.
Turqia dhe Azerbajxhani kanë gëzuar prej kohësh marrëdhënie të ngushta dhe lidhje të thella kulturore. Megjithatë, së fundmi janë shfaqur tensione pas kritikave në Turqi ndaj ndalimit të mbajtjes së hixhabit në shkollat e Azerbajxhanit, si dhe për shkak të marrëdhënieve tradicionalisht të ngrohta të Bakusë me Izraelin.
Associated Press raportoi se, në përpjekje për të zbutur tensionet, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë me Aliyevin dhe e ftoi personalisht në samit. Mediat turke raportuan gjithashtu se Erdogan shkarkoi një nga këshilltarët e tij, të cilin Azerbajxhani e konsideronte si një figurë anti-azerbajxhanase brenda zyrës së presidentit turk. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Aliyev kishte angazhime të tjera dhe nuk mori pjesë në takim.
Në Azerbajxhan, komentuesit thonë se kohët e fundit në mediat turke është zhvilluar një fushatë kundër vendit të tyre. “Për azerbajxhanasit, kjo armiqësi është veçanërisht e dhimbshme, sepse vjen nga një vend që konsiderohet aleat i ngushtë”, tha Farman Aydin, një analist që shkruan për mediat proqeveritare në Baku.
Aydin shtoi se vendimi i Aliyevit për të mos marrë pjesë në samitin rajonal në Turqi “mund të interpretohet gjithashtu si një sinjal diplomatik se edhe partneritetet më të ngushta kërkojnë respekt të ndërsjellë”.
Pas vendimit të qeverisë së Azerbajxhanit për të ndaluar mbajtjen e hixhabit në shkolla, u zhvilluan protesta të vogla para përfaqësive diplomatike të Azerbajxhanit në Turqi. Më pas, Azerbajxhani ndaloi hyrjen në vend të 30 shtetasve turq.
Duke folur të premten në samitin rajonal të vendeve që ndajnë gjuhë dhe kultura turke, Erdogan deklaroi: “Nuk mund të ketë përçarje mes vendeve që flasin gjuhët turke”.
Ai shtoi: “Në ‘portretin familjar’ të botës turke nuk ka vend për ndarje, mosmarrëveshje apo konflikte. Ne jemi një, jemi bashkë. Me ndihmën e Zotit, jemi vëllezër nga përjetësia në përjetësi”.