Ngarkesa me 27 tonë mish derri nga Brazili, kryeinspektori Sula shkarkon nga detyra 4 inspektorë të Blerina Gjylametit

21 Nëntor 2026, 17:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ngarkesa me 27 tonë mish derri nga Brazili, kryeinspektori Sula shkarkon
Blerina Gjylameti dhe Dash Sula

Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që drejtohet nga ish-deputetja socialiste Blerina Gjylameti janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e inspektimit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri me origjinë nga Brazili, të importuar nga subjekti “KING-MIT”.

Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të përgjegjësive individuale dhe zhvillimit të seancave dëgjimore.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej inspektorëve, me inicialet L.B., i cili ushtronte detyrën në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, është larguar nga detyra për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, të stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës.

Ndërsa tre inspektorë të tjerë, E.T., K.K. dhe M.G., pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, janë shkarkuar për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e tyre.

Më herët kryeinspektori Dashnor Sula ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj kujtdo që shkel ligjin.


Video