
Janë zbardhur debatet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, e thirrur nga kreu i saj Enkelejd Alibeaj, ku po diskutohet mbi dialogun me mazhorancën për zgjedhjen e presidentit të ri dhe situatën brenda Partisë Demokratike.
Fillimisht grupi vendosi që do të paraqesë një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për abuzimet me shitblerjen e energjisë elektrike dhe krizën e krijuar ne sistemin energjetik. Për këtë janë ngarkuar deputetët Helidon Bushati, Lefter Gështenja dhe anëtarët e PD në Komisionin e veprimtarive prodhuese.
Më pas, deputeti Ervin Salianji ka kërkuar që të shtyhet mbledhja për një moment kur të jenë edhe deputetët mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, nuk ka sens që kërkohet autorizim për tu ulur në tryezë me PS për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit kur nuk bëhen bashkë të gjithë demokratët.
"Shoh përpjekje për të ndarë partinë. Duhet të ulemi me kryesinë e grupit dhe të vijnë gjithë deputetët, nuk ka sens, kërkohet autorizim për tu ulur me Ramën dhe nuk ulemi me njëri-tjetrin. Duhet të shtyjmë mbledhjen dhe të mblidhemi kur të jenë të gjithë. Presidenti dhe çdo çështje tjetër duhet të diskutohet në kryesi grupi dhe në grup parlamentar, jo fakt i kryer. Reforma territoriale dhe zgjedhore absolute për ne", ka deklaruar Salianji.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e deputetëve kanë qenë pro uljes në tryezë me mazhorancën për bisedime lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.
Kreshnik Çollaku: Duhet të marrim pjesë në tryezën për të zgjedhur kandidatin për President, pa komplekse. Të jetë figurë me integritet.
Lefter Gështenja: Së pari nëse duhet të bëj lajm do të thoja që ne nuk duhet të marrim pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit. Në fakt unë jam që duhet të marrim pjesë në proces. Edhe pse ne e dimë që Rama i ka numrat ne duhet të marrim pjesë duke vendos kritere të sakta se kush duhet të jete presidenti. Para opinionit publik në nxjerrim 1 2 3 ose 4 kandidatë potencialë që kanë reputacion në opinionin publik. Duke sfiduar mazhorancën me kandidatë me integritet. E sigurte që qytetaret do të na vlerësojnë për këtë zgjidhje. Kushti im është që presidenti të jetë një anti- komunist që nuk shitet e nuk blihet.
Saimir Korreshi: Të propozojmë një emër për president, Presidenti që ne besojmë që bën, duhet patjetër që të marrim pjesë në reformën territoriale
Ferdinand Xhaferraj: Të marrim pjesë, por mos të përdoremi nga procesi! Te negociojmë me faktorin ndërkombëtar për procesin.
Kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeajt ju është drejtuar kolegëve se në mbledhjen e kësaj të enjteje nuk do të merret vendim, por është vetëm për informim. Sipas Alibeajt, ka një tentative për të përçarë grupin parlamentar të PD-së.
"Kjo është një mbledhje informuese e kolegëve për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke synuar hapjen e debatit brenda grupit parlamentar të PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Sot nuk kemi për të marrë asnjë vendim, sepse mbledhja është me natyrë informale për informimin tuaj për ecurinë e deri tanishme dhe shkëmbimin e mendimeve. Me disa prej kolegëve kam diskutuar edhe personalisht dhe i di mendimet e tyre, me intereson që vendimin për procesin ta marrim të gjithë bashkë, në një moment tjetër, pasi të kemi ezauruar fazën e marrjes së mendimit të secilit. Ka një tentativë për të përçarë edhe Grupin Parlamentar, edhe pse gjate këtij muaji kemi bërë përpjekje serioze për të bashkuar grupin. Nuk e kuptoj dot këtë sjellje dhe është një tjetër akt përçarës. Secili nga anëtaret e këtij grupi kanë bërë përpjekje për të mos lejuar përçarjen e partisë. Refuzoj me forcë çdo të tentativë për ndarjen e partisë, dhe me gjithçka kam në dorë do bëj çmos që kjo mos të ndodh", tha Alibeaj.
I ashpër ka qenë në fjalën e tij dhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi i cili ka deklaruar se deputetët pro Sali Berishës po i sulmojnë me qëllim që të mos marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Të propozojmë kriteret dhe procedurat. Ne duhet të vazhdojmë me opozitën. Dhe mos të kompensohemi se një grup i Berishës na sulmon. Ne nuk iu përgjigjemi me të njëjtën gjuhë për të ruajtur PD. Ne jemi ruajtur mos ta përçajmë PD. Na sulmojnë sot që mos të marrim pjesë te presidenti. Ata që deri dje thonin përse bojkotoni. Pra kuptohet kush ka qenë pas bojkotit deri dje. Presidentin e zgjedh parlamenti. Dhe vendos grupi parlamentar. Nuk vendos Jozefina, Rudina dhe Murrizi, në Këshill Kombëtar. Ata që deri dje sulmonin PD”, ka deklaruar Bardhi.
Gjithashtu Bardhi ka deklaruar se në mbledhjen e sotme duhet të përcaktohen procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së presidentit të ri. Sipas tij, ato duhet të shkruhen në një dokument dhe më pas duhet t’i prezantohet palës tjetër.
"PD duhet të bëhet pjesë e procesit të përzgjedhjes së Presidentit vetëm me rregulla të qarta, të paracaktuara dhe që garantojnë që PD nuk do jetë fasadë në këtë proces. Ne duhet të dalim me një qëndrim me shkrim, dokument me shkrim që i paraqitet palës tjetër, që përfshinë dy komponentë: kriteret e përzgjedhjes dhe procedura e përzgjedhjes. Tek procedura ne duhet të propozojmë rolin që do të ketë opozita. Nëse pranohen rregullat e procesit, vetëm atëherë ne mund të përfshihemi në diskutime dhe propozime konkrete. Nëse nuk pranohet roli i opozitës në proces, atëherë qartësisht Edi Rama nuk dëshiron një President konsensual. Unë propozoj që secili prej nesh të bëjmë propozime me shkrim dhe ju z. Kryetar të përmblidhni qëndrimet në një dokument që më pas miratohet nga grupi dhe i paraqitet palës tjetër. Çështja e Presidentit është çështje që duhet të diskutohet nga grupi parlamentar. Asnjë forum tjetër nuk mund t’i imponohet grupit parlamentar”, tha Bardhi.