
Ka nisur para pak minutash mbledhja e grupit parlamentar të PD-së në selinë blu e thirrur nga kreu i saj Enkelejd Alibeaj, ku në fokus të diskutimit do të jetë dialogu me mazhorancën për zgjedhjen e Presidentit ë ri.
Kjo mbledhje është bojkotuar nga deputetët që janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit, pasi ata nuk e njohin Alibeaj si kreun e grupit me vendimin e shkarkimit në Kuvendin e 30 Prillit.
Pjesë e mbledhjes janë deputetët që janë shprehur kundra Berishës, konkretisht emra si Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Merita Bakiu, Oriola Papmuri, Lindita Metaliaj, Sajmir Koreshi, Kastriot Piroli, Dashnor Sula, Zheni Gjergji, Selaudin Jakupllari, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj.
Para nisjes së mbledhjes Enkelejd Alibeaj u pyet nga mediat për faktin se ai nuk njihet nga grupi i Rithemelimit, ai pyeti se kush është ky? Ai tha se ka detyrimin që të dëgjojë deputetët e PD-së.
“Ça ishte ajo, komisioni? E ça pastaj? (E pyesin se nuk e njohin nga Rithemelimi) Nuk është kjo çështja kryesore. Ka shumë çështje axhenda parlamentare. Që nga e sotmja në fakt që duhet të ishte e para. Është fitorja e vogël e banorëve të Rinasit. Deputetes Ulliri dhe banorëve që iu ndodhëm afër që të bënin një fitore të vogël.
Për mbledhje të Grupit Parlamentar ka një rregullore që përcakton të drejta dhe detyrimet. Në rregulloren e miratuar në 2017 ka një nen që përcakton që mbledhja e Grupit Parlamentar përcaktohet nga kryetari i grupit. Pra është një detyrim që duhet të ushtrohet nga kryetari i Grupit parlamentar, pra duhet të respektohet dhe dëgjohet zërin e secilit deputet.”, tha Alibeaj.
Ndërsa, deputeti Ervin Salianji para hyrjes në selinë blu ka kritikuar Alibeajn, duke e akuzuar këtë të fundit se ulej me kryeministrin Edi Rama për emrin e Presidentit, ndërsa nuk ulej me kryesinë e partisë apo me grupimin tjetër, për të zgjidhur krizën e brendshme që e ka zanafillën muaj më parë.
“Siç e shikoni ka një përpjekje në kulisa skizofrenike për ta ndarë PD-në në dy pjesë. Nuk hyj tek ata deputetë që duan këtë ndarje. Kam folur me Alibeajn që mbledhja të jetë e përbashkët dhe është e papranueshme që ndërkohë që pranon të ulet në tavolinë me Ramën mos të pranojë të ulet me deputetët e PD. Siç kam komunikuar me dy palët edhe para jush duhet të them se grupi duhet të mblidhet brenda rregullores, po ashtu edhe kryesia. Të gjithë deputetët duhet të ulen dhe t’i japin zgjidhje krizës në mënyrë që mos të shpërndahet fokusi nga lufta ndaj Edi Ramës”, tha Salianji.