
Arlind Qori ka shpallur kandidaturën për të garuar për kryetar bashkie i Tiranës.
Në një reagim të bërë në faqen e tij zyrtare në Facebook, Qori shkruan se pas propozimit të bërë nga “Lëvizja BASHKË” ka pranuar që të futet në garë, përballë Erion Veliajt nga PS, dhe Belind Këlliçit nga PD.
Njoftimi i Lëvizjes Bashkë:
LËVIZJA BASHKË DO TË KANDIDOJË NË BASHKINË E TIRANËS
Mbrëmë, mes qindra anëtarëve dhe mbështetësve, Lëvizja BASHKË shpalli publikisht pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale, përkatësisht në Bashkinë e Tiranës.
Pavarësisht se paligjshmëritë e një gjykatësi të komanduar politikisht synojnë të na pengojnë, ne kemi vullnetin dhe të gjitha mundësitë që të kandidojmë në zgjedhjet lokale, duke mos lënë asnjë instancë ligjore pa u apeluar dhe duke ushtruar të gjithë presionin qytetar e kushtetues për t’i shtrënguar institucionet që të zbatojnë ligjet e vendit.
Kandidati i Lëvizjes BASHKË për kryetar të Bashkisë së Tiranës do të jetë Arlind Qori, me profesion pedagog i shkencës politike, aktivist prej 12 vjetësh dhe prej dhjetorit të vitit të shkuar edhe bartës i përgjegjësisë së kryetarit të Lëvizjes BASHKË.
Pasi të sigurojmë njohjen dhe regjistrimin e partisë nga gjykata dhe KQZ, do të bëjmë publike edhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Që sot paradite ne jemi në rrugën përballë Bibliotekës Kombëtare për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve që do të na mundësojnë realisht pjesëmarrjen në zgjedhje. Në ditët në vijim do të mund të na gjeni edhe nëpër lagje dhe pika të tjera takimi brenda qytetit.
E vetmja fuqi që kemi është mbështetja dhe solidariteti i qytetarëve.
BASHKË PËR TIRANËN!