Sekretariati i Etikës ka rrëzuar kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, të cilët kërkuan përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të Elisa Spiropalit për shkak të provikimeve dhe "humorit të zi" ndaj Edmond Spahos
Në seancën e së enjtes, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ironizoi situatën e deputetit Edmond Spaho, i cili u përjashtua për sjelljen e tij në Kuvend, ku i ra edhe bilbilit.
“Një minutë heshtje për Edmond Spahon që ra në Komisionin e Etikës si revolucion i vërtetë. I palodhur, keqardhje që trashëgimia e tij e bilbilfryrjes nuk u trashëgua te ju. Ai ishte më i guximshëm se ju. Do jetë në zemrat tona deri pas 20 ditëve ku do të jetë sërish këtu bashkë me ju. Ju po e kërkoni kauzën aty ku nuk është. Ju akuzoni si denoncues të Zotit Basha”, tha ajo.
Kjo deklaratë solli revoltimin e demokratëve në seancë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i tërhoqi vërejtje Spiropalit.
Gjithashtu, Sekretariati i Etikës ka rrëzuar dhe kërkesën e Gazment Bardhit, i cili kërkoi anulimin e pikave të rendit të ditës që u miratuan në fund të seancës, ku deputeti demokrat pretendonte se nuk kishte kuorum.
Njoftimi:
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën shqyrtoi sot kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për “marrje mase disiplinore ndaj ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali”.
Grupi Parlamentar i PD pretendon se kanë konstatuar sjellje joparlamentare nga deputetja Spiropali.
Pas shqyrtimit, Sekretariati vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, Sekretariati shqyrtoi edhe kërkesën e deputetit Gazment Bardhi, i cili kërkon anulimin e votimeve të kryera në seancën plenare të datës 23.02.2023.
Sekretariati vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së Gazment Bardhi duke e konsideruar të vlefshëm votimin në seancën plenare të datës 23.02.2023.