Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sot deklaratën e kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizit, i cili pak ditë më parë bëri thirrje që mos të votohet kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës Fredi Bejleri, zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë një konference për mediat, lideri i PD tha se deklarata të tilla janë të panevojshme dhe i shërbejnë kundërshtarëve.
“Nuk kam asnjë lloj komenti. Secili merr vendimet e tij. Kjo thirrje, nëse e ka bërë, shkon në favor të kundërshtarëve tanë. Ka bërë një gabim për mendimin tim të panevojshëm.”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë Idrizi më herët tha:
“PDIU nuk i ka bërë kurrë thirrje mbështetësve të një partie tjetër politike se si duhet të votojnë, por sot është koha t’i bëjmë thirrje shqiptarëve të mos votojnë Fredi Bejlerin, njeriun e akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar me vendimin e Gjykatës Vlorë, me nr 224/24.9 2004 dhe me numër 302/26.12.2006 me 3 vite burg për dhunim të simboleve shtetërore shqiptare.”