"Biznesi i vogël nuk do paguajë, tatimi mbi fitimin mbetet zero deri në 2029" - Braçe i përgjigjet PD-së për TVSH-në

1 November 2026, 17:05Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Biznesi i vogël nuk do paguajë, tatimi mbi fitimin mbetet zero

Deputeti socialist Erion Braçe ka kundërshtuar kritikat e Partisë Demokratike lidhur me ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027, duke mohuar se bizneset e vogla do të përballen me një barrë të re prej 21% TVSH-je.

Sipas tij, bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë do të përjashtohen nga detyrimi për t’u regjistruar në skemën e TVSH-së, ndërsa tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë do të mbetet zero deri në vitin 2029.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka renditur disa argumente për të shpjeguar mënyrën se si do të zbatohet regjimi i ri. Ai theksoi se bizneset me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë do të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ashtu siç janë aktualisht edhe bizneset me xhiro nga 10 deri në 14 milionë lekë.

“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%! T’u themi njerëzve dhe biznesit të vogël të vërtetën”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist argumenton se TVSH-ja është një tatim mbi konsumin, i cili paguhet nga konsumatori në momentin e blerjes së një malli apo shërbimi. Sipas tij, biznesi shërben si agjent për mbledhjen e këtij tatimi dhe më pas e derdh atë në buxhetin e shtetit.

Braçe kundërshtoi gjithashtu pretendimin se rreth 17 mijë biznese të vogla do të preken nga një barrë e re fiskale. Ai vuri në dukje se një pjesë e konsiderueshme e tyre operojnë në sektorët e shërbimeve, tregtisë dhe veçanërisht tregtisë ushqimore.

Sipas tij, ulja e TVSH-së për disa produkte nga 20% në 6%, duke nisur nga 1 janari, do të ndikojë pozitivisht te konsumi dhe aktiviteti i këtyre bizneseve.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%! T’u themi njerëzve dhe biznesit të vogël të vërtetën:

1. Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro deri në 5 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH; E vërteta është që ky biznes përjashtohet nga detyrimi për t’u regjistruar në regjimin e TVSH-së.

2. Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH; E vërteta është që ky biznes do të regjistrohet në regjimin e TVSH-së, siç është biznesi i vogël me xhiro 10-14 milionë lekë që është aty, i pasulmuar, i pakontrolluar, i pafalimentuar, duke punuar, prodhuar, tregtuar, arkëtuar e fituar të ardhura.

3. Nuk është e vërtetë që TVSH-ja është tatim ndaj biznesit; E vërteta është që TVSH-ja është tatim konsumi, tatim mbi konsumatorin, e paguaj unë që ble për çdo mall e shërbim që marr, tani edhe te biznesi i vogël. Biznesi, si agjent i qeverisë, e mbledh nga unë e duhet ta derdhë në buxhetin e shtetit; pra, e paguaj unë, jo biznesi, as biznesi i vogël.

4. Nuk është e vërtetë që 17 mijë biznese të vogla po sulmohen duke i regjistruar në regjimin e TVSH-së; E vërteta është që për ta funksionon e njëjta logjikë: TVSH-në e paguan konsumatori, jo biznesi. Ka edhe një të vërtetë tjetër: shumica e këtyre bizneseve janë shërbime, tregti, mbi të gjitha ushqimore; shumica e produkteve të tyre nga 1 janari kanë një TVSH të ulur nga 20 në 6%, duke ndihmuar konsumin, konsumatorin dhe xhiron e këtyre bizneseve.

5. Nuk është e vërtetë që profesionistët e lirë do të paguajnë 21% TVSH, siç nuk është e vërtetë që veç ata janë shtresë e mesme në këtë vend; E vërteta është që edhe për ta, TVSH-në do ta paguajë marrësi i shërbimeve apo mallrave prej tyre, me faturë, si të gjithë. I vetmi tatim që duhet të paguajë biznesi i vogël dhe profesionistët e lirë, si rregull, është tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin. Ky tatim ka qenë, është dhe do të jetë deri në 2029, zero për qind, zero lekë!”


Video