Qeveria uli TVSH në 6% për 54 ushqime, por kush garanton që përfitimi të shkojë te qytetarët dhe jo te bizneset?

31 October 2026, 15:32Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria uli TVSH në 6% për 54 ushqime, por kush garanton që

Qeveria parashikon uljen e TVSH-së për 54 produkte të shportës ushqimore me 14% nga 1 janari 2027. Pra e thënë ndryshe, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që do të aplikohet për këto produkte nuk do të jetë 20%,  por 6%. 

Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore, e parashikuar në paketën fiskale 2027, synon të lehtësojë barrën financiare për konsumatorët, në një kohë kur çmimet e produkteve bazë vijojnë të jenë një nga shqetësimet kryesore për familjet shqiptare si dhe përbëjnë peshën më të lartë të shpenzimeve të buxheteve të tyre. 

Por a do të thotë kjo automatikisht ulje çmimesh për këto produkte?

Efekti real i kësaj ndërhyrjeje fiskale në çmimet përfundimtare mbetet për t'u parë. Ulja e taksës nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në të njëjtën masë, pasi reflektimi i saj varet edhe nga sjellja e operatorëve ekonomikë përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se për të garantuar që përfitimi nga ulja e TVSH-së të shkojë te konsumatori, po parashikohen mekanizma monitorimi të tregut. Në rastet kur bizneset nuk reflektojnë uljen e taksës në çmimet e produkteve, mund të ndërmerren masa nga institucionet përgjegjëse, përmes strukturave të kontrollit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ndërkohë, mënyra konkrete se si do të funksionojnë këta mekanizma kontrolli mbetet ende në diskutim, por një ndër to është përmes verifikimit të marzheve të fitimit që kanë kompanitë aktualisht. 

Megjithatë pritet të përcaktohet mekanizmi i qartë se si do të monitorohen çmimet përpara dhe pas hyrjes në fuqi të ndryshimit fiskal, si dhe cilat do të jenë instrumentet që do të përdoren për të evidentuar rastet kur ulja e TVSH-së nuk përcillet te konsumatori.

Një nga sfidat kryesore do të jetë pikërisht garantimi i transparencës në treg dhe shmangia e situatave kur përfitimi nga ulja e taksës përthithet nga marzhet e tregtimit, pa sjellë një ndryshim të ndjeshëm në faturën e konsumatorëve.

Paralelisht me ulen e TVSH-së për ushqimet, në fillim të vitit që vjen do të aplikohet rritja e TVSH-së së përgjithshme në nivelin 21 %, çka pritet të sjellë dhe një rritje të kostos së produkteve dhe shërbimeve. /scan tv


Video