Buxheti 2027, 10 miliardë euro: Sa para shkojnë për pensionistët, bebet, arsimin dhe shëndetësinë?

28 October 2026, 13:20Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Buxheti 2027, 10 miliardë euro: Sa para shkojnë për
Foto ilustruese

Buxheti i shtetit për vitin 2027 parashikohet të arrijë në rreth 908 miliardë lekë, ose afro 10.2 miliardë euro. Në krahasim me vitin 2026, fondet rriten me 64.7 miliardë lekë. Prioritetet kryesore janë pensionet, mbrojtja sociale, shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja, ndërsa bujqësia përfiton një rritje më të kufizuar.

Dyfishohet bonusi mujor për pensionistët

Nga 1 janari 2027, bonusi mujor i pensionistëve parashikohet të dyfishohet, me një kosto prej 20 miliardë lekësh për buxhetin. Për indeksimin e pensioneve në muajin prilli janë parashikuar edhe 1.35 miliardë lekë.

Bonusi do të ndryshojë sipas kategorisë së pensionit. Pensionistët urbanë me pension të plotë deri në 40 mijë lekë do të përfitojnë 3,600 lekë në muaj, ndërsa ata me pension të pjesshëm deri në 22 mijë lekë do të marrin 1,600 lekë. Për pensionet rurale deri në 18 mijë lekë parashikohen 2,000 lekë në muaj.

Skema përmban tavane për përfitimin, ndaj jo të gjithë pensionistët do ta marrin bonusin e plotë.

Bonusi i bebeve, pagesa mujore deri në 5 vjeç

Nga mesi i vitit 2027 pritet të nisë një skemë e re mbështetjeje për fëmijët, me rreth 25 mijë përfitues. Familjet do të marrin 5,000 lekë në muaj për fëmijën e parë, 7,000 lekë për të dytin dhe 10,000 lekë për të tretin e në vijim, deri në moshën pesëvjeçare.

Në mbrojtjen sociale parashikohet gjithashtu mbështetje për përfituesit e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë. Për strehimin social janë planifikuar 745 milionë lekë, shkruan Voxnews.

Shëndetësia me rreth 88 miliardë lekë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të ketë rreth 88.2 miliardë lekë, afërsisht 2% më shumë se në vitin 2026.

Pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për shërbimet spitalore. Janë parashikuar gjithashtu 1.1 miliardë lekë për pajisje mjekësore dhe financim për barnat e rimbursueshme. Buxheti përfshin edhe trajtime të specializuara, si trajtimi i infertilitetit dhe rindërtimi i gjirit.

Arsimi, tekstet falas për nxënësit

Për Ministrinë e Arsimit janë planifikuar 66.27 miliardë lekë, rreth 1.41 miliardë lekë më shumë se në vitin 2026.

Një nga masat kryesore është sigurimi i teksteve shkollore falas për 215 mijë nxënës të arsimit bazë dhe 16 mijë nxënës të arsimit të mesëm. Për investimet në infrastrukturën arsimore janë parashikuar 5.87 miliardë lekë, ndërsa në arsimin e lartë synohet mbështetja me bursa dhe financim për akomodimin e 16 mijë studentëve.

Megjithatë, pesha e buxhetit të arsimit ndaj PBB-së parashikohet të bjerë nga 2.3% në vitin 2027, në 2.1% në vitin 2029.

Bujqësia, rritje me vetëm 1 miliard lekë

Buxheti i bujqësisë parashikohet të arrijë në 16.5 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 1 miliard lekësh.

Skema kombëtare e mbështetjes së fermerëve do të financohet me 5.3 miliardë lekë, ndërsa 3 miliardë lekë janë parashikuar për kompensimin e TVSH-së. Qeveria synon gjithashtu zhbllokimin e rreth 94 milionë eurove nga programi IPARD III.

Mbrojtja, 68.8 miliardë lekë

Shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2027 parashikohen në 68.8 miliardë lekë, ose 2.35% të PBB-së. Fondet synojnë të mbështesin angazhimet e Shqipërisë në NATO dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Buxheti arrin rekordin e ri në vitin 2030

Sipas kuadrit fiskal afatmesëm, buxheti i shtetit pritet të vijojë rritjen në vitet e ardhshme, duke arritur rreth 11.4 miliardë euro në vitin 2030. Shpenzimet e përgjithshme për vitin 2027 parashikohen në rreth 976 miliardë lekë.

Projektbuxheti synon të rrisë mbështetjen sociale dhe financimin e shërbimeve publike. Megjithatë, ndikimi konkret te qytetarët do të varet nga zbatimi i masave dhe nga mënyra se si fondet do të përkthehen në përfitime reale.


Video