Ditën e martë, pas daljes së lajmeve mbi ndryshimet fiskale të propozuara nga Ministria e Financave u mblodh me urgjencë Këshili Tatimor, një një forum teknik bashkëpunimi i ngritur pranë këtij dikasteri që shërben si urë lidhëse mes bizneseve, ekspertëve dhe administratës shtetërore për politikat fiskale.
Në këtë mbledhje, qeveria përfaqësohej në nivel teknik. Burime për Top News pohuan se në këtë mbledhje, përfaqësuesi i Qeverisë pranoi se propozimet e paketës fiskale për vitin e ardhshëm, që rëndojnë barrën fiskale ndaj bizneseve janë diktuar nga protesta e studentëve.
Ky ka qenë qëllimi i uljes së TVSH-së për ushqimet dhe rritjes së taksave për bizneset dhe korporatat. Sipas qeverisë, një pjesë e këtyre ndryshimeve ishin parashikuar në programin fiskal afatmesëm dhe do të hynin në fuqi në vitin 2028. Por, kërkesat e studentëve për strehimin social dhe kostot e rritura të jetesës e përshpejtuan këtë proces.
Arsyetimi i përfaqësuesit të qeverisë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, që kundërshtuan ashpër ndryshimet fiskale. Ata paralajmëruan se ndryshimet godasin rëndë sipërmarrjet në vend dhe mund të nxisin zhvendosjen e fabrikave të tyre drejt Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ekspertët ngritën dyshime nëse ulja e TVSH për shportën do të reflektohet në uljen e çmimeve në treg, duke cituar mungesën e mekanizmave shtetërorë për të siguruar se kjo ulje nuk do të përkthehet në një marzh fitimi më të lartë për tregtarët.
Në totale, ekspertët dhe bizneset paralajmëruan se paketa fiskale mund të prodhojë efekte të kundërta, ku nisma për të ulur çmimet e ushqimeve të përkthehet në një inflacion të përgjithshëm shumë herë më të lartë.