
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje sipërmarrësve në të gjithë Shqipërinë që t’i bashkohen protestës kombëtare të studentëve, e parashikuar të zhvillohet të shtunën, më 24 tetor.
Shoqata u kërkon bizneseve të ulin qepenat gjatë orarit të protestës, në shenjë solidariteti me studentët dhe qytetarët që prej ditësh po protestojnë kundër qeverisë.
Në deklaratën e saj, shoqata thekson se situata aktuale nuk lidhet vetëm me kërkesat e studentëve, por edhe me të ardhmen e sipërmarrjeve, familjeve dhe fëmijëve shqiptarë. Sipas përfaqësuesve të saj, gjendja e biznesit dhe e shoqërisë kërkon reagim qytetar, solidaritet dhe përgjegjshmëri.
“I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, me shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta. Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biznesit tonë, me familjet tona dhe me fëmijët tanë”, thuhet në deklaratë.
Përveç pjesëmarrjes në protestë, shoqata u kërkon bizneseve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime të nevojshme për protestuesit gjatë zhvillimit të tubimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha bizneseve shqiptare të bashkohen nesër me studentët dhe qytetarët protestues. Gjithashtu, u bëjmë thirrje bizneseve që, në oraret e përcaktuara të protestës, të ulin qepenat në shenjë solidariteti me protestuesit shqiptarë”, deklaroi kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.
Protestat studentore kundër qeverisë vijojnë prej ditësh, ndërsa një nga kërkesat kryesore të protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.