Spiropali i drejtohet Ramës: Divorcohu nga Balluku! Ke luftuar për Shqipërinë, në krye të PS-së rri siç duhet!

20 Nëntor 2026, 09:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Spiropali i drejtohet Ramës: Divorcohu nga Balluku! Ke luftuar për
Elisa Spiropali

E ftuar në "Top Story" Elisa Spiropali i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndahet nga praktikat dhe modeli aktual i qeverisjes, duke iu referuar çështjes së Belinda Ballukut. 

Në deklaratën e saj, Spiropali vlerësoi kontributin e Ramës për Shqipërinë, veçanërisht në marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë, por theksoi se ai nuk duhet të lejojë që trashëgimia e tij politike të vihet në pikëpyetje për shkak të disa individëve.

Ajo u shpreh se, nëse Rama dëshiron të qëndrojë në krye të Partisë Socialiste dhe të qeverisë, si dhe të largohet me nder nga këto pozicione, duhet të bëjë një shkëputje nga praktikat që, sipas saj, dëmtojnë partinë dhe vendin.

Spiropali theksoi gjithashtu nevojën për më shumë garë brenda PS-së dhe për zbatimin e meritokracisë në përzgjedhjen e ministrave, drejtuesve dhe administratës publike.

Deklarata e plotë:

"Nëse Edi Rama do të qëndrojë në krye të Partisë Socialiste, do të jetë kryeministër i vendit dhe do të largohet me nder nga ajo detyrë, ashtu siç të gjithë ne urojmë, për të lënë një trashëgimi në Partinë Socialiste që i bën nder dhe asaj që ai ka bërë, sepse ka bërë jo pak për Shqipërinë.

Unë jam dëshmitare vetë se si Edi Rama, në marrëdhëniet me jashtë dhe me udhëheqësit botërorë, ka luftuar për Shqipërinë si askush tjetër, sa i takon reputacionit të këtij vendi dhe transformimit, nuk mund ta hedhim poshtë këtë trashëgimi, gjithë kontributin që kemi dhënë, punën dhe fytyrat që kemi vendosur në parti dhe në këtë qeveri.

Partia është instrument për të ndryshuar vendin. Nuk mundet që një parti e tërë të shkojë pas dhe të bëhet mburojë për disa njerëz që nuk e meritojnë as besimin e kësaj partie, as të Shqipërisë.

Edi Rama, nëse do të qëndrojë në krye të kësaj force politike dhe të qeverisë me nder, duhet të bëjë divorcin nga këto praktika, duhet të ndahet nga ky model qeverisës dhe i partisë. Duhet të ketë garë brenda PS-së, por edhe në zgjedhjen e ministrave, drejtuesve dhe administratës. Duhet të shkojmë urgjentisht drejt meritokracisë dhe drejtësisë..."

 


Video