Reforma Zgjedhore, Komisioni i drejtohet OSBE/ODIHR-it për ekspertë ndërkombëtarë

19 Nëntor 2026, 13:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Reforma Zgjedhore, Komisioni i drejtohet OSBE/ODIHR-it për ekspertë

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore i është drejtuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it me kërkesën për caktimin e ekspertëve që do t’i bashkohen grupit të punës për hartimin e ndryshimeve ligjore në kuadër të reformës zgjedhore.

Në një shkresë drejtuar organizatës, bashkëkryetarët e Komisionit kërkojnë mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë për trajtimin e çështjeve të mbetura dhe reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në projektaktet që do të hartohen.

“Në cilësinë e bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e OSBE/ODIHR-it në përmirësimin e legjislacionit dhe të proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë.

Në mbledhjen e zhvilluar më datë 17.11.2026, Komisioni vendosi t’i drejtohet OSBE/ODIHR-it me kërkesën për caktimin e ekspertëve, të cilët do t’i bashkohen grupit të ekspertëve të Komisionit dhe do të kontribuojnë drejtpërdrejt në hartimin e projektakteve në kuadër të reformës zgjedhore.

Angazhimi i këtyre ekspertëve do të mbështesë vijimin dhe përmbylljen e punës së nisur, duke ndihmuar në trajtimin e çështjeve të mbetura dhe në reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Përfshirja e tyre në procesin e hartimit do të mundësojë ofrimin e ekspertizës së specializuar gjatë përgatitjes dhe finalizimit të projektakteve.

Në zbatim të këtij vendimi, do të vlerësonim mbështetjen tuaj për caktimin e ekspertëve dhe njoftimin e emrave të tyre, me qëllim përfshirjen në veprimtarinë e grupit të ekspertëve të Komisionit.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm, mbetemi të angazhuar për vijimin e një procesi gjithëpërfshirës, të mbështetur në ekspertizën profesionale dhe në rekomandimet ndërkombëtare”, thuhet në letër.

Reforma Zgjedhore, Komisioni i drejtohet OSBE/ODIHR-it për ekspertë


Video