
Nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2027, deputeti i PS Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për mosrealizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të parashikuara në buxhetin e shtetit.
Ai riktheu në vëmendje kërkesën e tij të mëparshme për largimin e anëtarëve të kabinetit që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e miratuara, duke e cilësuar paaftësinë në menaxhimin e parasë publike si të papranueshme.
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh. Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit, duhet të ikin nga qeveria.
Nuk ua ka borxh kërkush, padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo, kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë, që kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më qeveri”, tha Braçe.