Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha njoftoi sot ekipin e ri drejtues të partisë dhe në deklaratën e dhënë nga selia blu u theksua përbyllja e proceseve zgjedhore. “Një triumf i demokracisë dhe votës së lirë.” – ishte një prej fjalive gjatë deklaratës së dhënë.
Mirëpo, tek lista e emrave të ekipit të “ri”, një post drejtohej ende nga një emër i vjetër. Bëhet fjalë për organizatën partnere të PD-së, “Lidhjen Demokratike të Gruas Shqiptare”, në të cilën figuron ende si drejtuese Albana Vokshi.
Kjo e fundit nuk është zgjedhur me votë, por është emëruar si kryetare e LDGSH-së që në vitin 2009 nga kryetari i atëhershëm Sali Berisha dhe duket se rikthimi i këtij të fundit në krye të partisë po e mban sërish atë si kryetare të LDGSH.
Pak kohë pas nisjes së përplasjes, në muajin nëntor të vitit të kaluar ish-kreu i PD-së Lulzim Basha hapi garën për të zëvendësuar Vokshin si kryetarë të forumit të gruas dhe ngriti një ekip me 10 gra demokrate, ku në krye të saj qëndronte Grida Duma. Takimet në bazë nisën, por procesi u zhduk gjatë rrugës.
Në atë kohë, Vokshi e akuzoi Bashën se kishte marrë një vendim qesharak, pasi LDGSH kishte statutin e vet dhe nuk mund t’i shpallte zgjedhjet kryetari.
Por, duket se Lidhja Demokratike e Gruas Shqiptare, edhe pse ka një kryetare të emëruar dhe që qëndron në krye të saj prej më shumë se një dekade, nuk ka ndërmend të shpallë zgjedhje të reja edhe për disa vite.
Kjo gjë nënkuptohet, pasi në zgjedhjet e brendshme që organizoi partia, Albana Vokshi nuk u zgjodh dhe as e mori mundimin të kandidonte qoftë për anëtare Kryesie, por as për nënkryetare apo për drejtimin e ndonjë sekretariati. Duket se ajo është e kënaqur në krye të LDGSH dhe duket se nuk do e lëshojë “karrigen” e forumit të gruas edhe për disa vite dhe si pjesë e Kryesisë së PD-së pretendon të jetë pjesë nëpërmjet këtij posti.
Deklaratën e dhënë nga selia blu e mbajti pikërisht Albana Vokshi ku deklaroi se rikthimi tek vota është hapi i parë drejt fitores, por nuk e dimë ende se kur deputetja do ja u japë mundësinë grave demokrate ta zgjedhin me votë kryetaren e forumit të tyre.
Ajo që vlen tjetër për t’u përmendur është edhe fakti se tek lista e ekipit të ri të Partisë Demokratike nuk përmendej fare organizata tjetër partnere e kësaj partie, Forumi Rinor i PD-së, ku situata duket e ngjashme.
Gjithsesi, ndryshe nga Vokshi, Belind Këlliçi garoi për anëtar Kryesie dhe për nënkryetar partie, ku arriti të fitonte vetëm tek e para. Nisur nga kjo e fundit, por edhe nga fakti i mos përmendjes së FRPD-së në listën e ekipit të ri drejtues të PD-së, të lë përshtypjen se Belind Këlliçi shumë shpejt do nisë zgjedhjet që forumi rinor i PD-së të ketë një kryetar të ri, pasi ai është përtej afateve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.