Sali Berisha dhe deputetët e tij kanë bojkotuar seancën plenare për votimin e Bajram Begajt si President pas disa minutash prezent në sallë.
Arsyeja ka qenë se Sali Berisha kërkoi fjalën për procedurë dhe nuk iu dha nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Berisha iu përgjigj nga vendi duke i thënë: “Je unike. Ndalon mundësinë për procedurë”. Pas këtij momenti ai u largua nga salla bashkë me deputetët e tij.
Në nëj prononcim për mediat nga oborri i Kuvendit, Berisha u shpreh se Bajram Begaj e nis udhën e tij në krye të shtetit në shkelje të Kushtetutës.
“Sot, në Parlamentin e Shqipërisë, po kryhet një dhunim i shëmtuar i Kushtetutës së vendit, një akt antikushtetues. Votohet në shkelje flagrante të Kushtetutës, për President Republike, njeriu që kalon nga karrigia e shefit të shtabit të FA-së në karrigen e Kreut të Shtetit duke shkelur në mënyrën më të hapur, nenin 167 të Kushtetutës, nen i cili, sipas të cilit ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet as nuk mund të zgjidhet në organe apo pushtete të tjera përveç detyrave të usghtrisë. Kandidati që votohet sot, nis udhën e tij duke shkelmuar me këmbët Kushtetutën. Pasi ai kandidon për President si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare. Pretendimi se ai dha dorëheqjen, ka zero vlerë” – tha Berisha.