Presidenti Ilir Meta ka firmour në Stamboll para pak minutash dekretimin e lirimit të Bajram Begajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv nga grada Gjeneralmajor.
Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi, teksa ka postuar me videon në rrjetet sociale momentin kur firmos kreu i shtetit.
"LIVE nga Stambolli - Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta firmos dekretin për lirimin nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, të Gjeneralmajor Bajram Rushit Begaj." shkruan Tedi Blushi.
Kështu, Bajram Begajt i hapet rruga për t'u votuar në Kuvend si President i ri i Republikës. Seanca do të zhvillohet sot në orën 18:00 dhe mjaftojnë vetëm 71 vota që ai të zgjidhet kreu i ri i shtetit.