Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit çmimin e ulët të ullinjve dhe vajit të ullirit dhe mbetjen e këtij produkti stok në treg.
Ai vendosi në foltoren e Kuvendit një shishe vaj ulliri dhe një shishe vaj luledielli, për të treguar se iu ka shkuar çmimi njësoj. Deputeti i ka kërkuar ministres dhe qeverisë të hedhin sytë nga fermerët.
Sula theksoi se Shqipëria ka klimën më të mirë, por fshatarët janë të varfër dhe se vuajnë për të mbledhur ullinjtë dhe më pas për të prodhuar vajin, i cili shitet njësoj sa ai i lulediellit. Ai shtoi më tej se çmimi i vajit të ullirit do shkojë sa çmimi i naftës që vendos Bordi.
“A e dini që sot atje për të prodhuar 1 lt vaj ulliri, një punëtor do 20 mijë lekë, vaji shitet me 300 lekë. A e dini që nuk ka njerëz për të vjelë ullinj. Burrat e gratë e fshatit mezi i mbledhin ato kokrra. Si do i bëhet halli? A mund t’ia dalin fshatarët në këtë gjendje? E keni parë se çfarë do të thotë vuajtje fshati? Zbrisni nga makinat! Prodhimet bujqësore nuk dalin dot jashtë kufirit, as në Kosovë nuk shkojnë dot. Shqipëria është me klimën më të mirë, kopshti Eden, por fshatarët janë të varfër.
Për çdo familje bujqësore të subvencionohet. Jo të gjeni metoda të cilat nuk shkojnë lekët te fermeri i thjeshtë. Ministre e bujqësisë, do ju kërkoja si përfaqësues i fermerëve të qarkut të Elbasanit, ndihmojini.
Nuk ka më të rinj dhe të reja në fshat, të jeni të sigurt. Është gjynah që vaji i ullirit të shitet i barabartë me vajin e lulediellit, jo me atë të misrit. Ju i kërcënoni që do ia merrni tokën fshatarit. Nëse ne bëjmë shpopullimin e fshatit, i vetmi sektor i cili prodhon…
Shqiptarët nuk marrin asnjë ndihmë nga qeveria. Fermerët s’kanë marrë ende lekët pas. Ka 8 vjet që gjithë fermerët e Belshit kanë 1.6 mln euro të pamarra nga firma greke e duhanit që ishte me shtetin shqiptar. Hidhni sytë nga fshati, janë njerëzit më të vuajtur.
Të jeni të sigurtë dhe ju garantoj se fshatarët po heqin të zitë e ullirit duke prodhuar vaj ulliri. Çmimi i vajit të ullirit do arrijë pas dy muajsh çmimin e naftës që ka vendosur bordi juaj. Sot 3500 lekë shitet vaji i ullirit.”, deklaroi Sula.
Por kjo sipas ministres së Bujqësisë, Frida Krifcës nuk është e vërtetë për shkak se shumë fermerë e shesin me çmim të lartë, madje nuk kanë sasi të mjaftueshme për të eksportuar.
“Sot kemi 82 mijë fermerë me NIPT që mund ti faturojmë. Kemi mbështetur me certifikim organik. Sot dalin në tregje të certifikuar. Ata e shesin vajin e ullirit me çmim të madh nuk kanë sasi për ta eksportuar. Është një proces që nuk bëhet me shkop magjik.” tha Krifca.