Ka rinisur pas një ndërprerje disa minutëshe mbledhja e Këshillit të Mandateve në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të vendoset nëse do t’i hiqet apo jo mandati deputetit Arben Ahmetaj, për t’i hapur rrugë arrestimit të tij nga SPAK.
Pas debateve të ashpra me deputeten e maxhoranës Ermonela Felaj, Gazment Bardhi i është drejtuar me një pyetje prokurorërve të SPAK nëse kanë dijeni për vendndodhjen e Ahmetajt.
“A keni informacion ku ndodhet Ahmetaj në këtë moment, është në Shqipëri, mos ka ikur në Kanada? Keni nformacion për këtë?”, i është drejtuar Bardhi prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai.
Por kreu i SPAK dhe prokurorja Millonai janë shprehur se nuk kanë informacion për vendndodhjen e Ahmetajt. Aktualisht ata janë duke parashtruar kërkesën e tyre për heqjen e mandatit të Ahmetajt.
Ish-zv.kryeministri Ahmetaj raportohet se është larguar drejt Greqisë ditën e premte, por nuk përjashtohet mundësia që prej andej të ketë udhëtuar drejt ndonjë shteti tjetër.
Ahmetaj akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.